Byroja Kombëtare e Hetimit ka sekuestruar serverin e kamerave të sigurisë në Bashkinë e Kukësit, për llogari të hetimeve të nisura kryesisht për ish-kryetarin Safet Gjici.
“Report TV” mëson se ditën e premte më 16 qershor, dy oficerë të BKH-së kanë mbërritur në bashkinë e Kukësit dhe kanë kërkuar takim me përgjegjësin e IT.
Pasi e kanë pyetur nëse sistemi i kamerave ishte në funksion, hetuesit kanë hyrë në ambientin e serverit, ku kanë qëndruar rreth 35 minuta. Gjatë kësaj kohe ata kanë bërë kopjimin e materialeve të regjistruara, përfshirë edhe datën 6 kur dyshohet se ka ndodhur edhe regjistrimi i videos së bërë publike ku Safet Gjici shihet duke kryer marrëdhënie me një grua në zyrën e kryebashkiakut.
Pasi kanë kopjuar materialin, dy oficerët e BKH-së janë larguar nga Bashkia e Kukësit ndërkohë që pamjet e hyrje-daljeve në institucionin vendor, po analizohen tashmë nga grupi i hetimit në SPAK.
Prokuroria e Posaçme hapi çështje penale kryesisht me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” ndaj Safet Gjicit, pas publikimit të videos më 16 qershor 2023. Materiali i bërë publik, paraqet regjistrimin e kryer mbi një ekran tjetër ku në qoshe, data e regjistrimit tregon 6 qershor 2023, ora 16.00 e vazhdim.
Burime nga SPAK, bënë të ditur se qëllimi i sekuestrimit të serverit në Bashkinë e Kukësit është verifikimi i kohës kur ka hyrë aty gruaja që shfaqet në videon intime me ish-kryebashkiakun Safet Gjici. Grupi hetimor pritet të marrë në pyetje edhe protagonistët e videos.
Diskutime rreth kësaj post