Pas sherrit me Ben Blushin për partinë LIBRA, Mimoza Hafizi nuk është ndalur por në këto ditë festash ajo ka sjellë edhe dhuratën për shqiptarët. Bëhet fjalë për një libër që flet për astronominë, e përkthyer edhe në shqip për Shkencat e Universit.
Ndër të tjera, Hafizi nuk kursen as akuzat politike, pas sherrit me Ben Blushin ku ka theksuar se endrrën e saj nuk ia vjedh dot vulgari dhe uzurpuesi.
“I përshëndes me respekt ! Dhe me besimin se asgjë nuk ka humbur nga shpresa e tyre e as e imja. Se ëndrrën nuk e zhbën dot intriganti e as ngatërrestari, nuk e shkel uzurpuesi e nuk e vjedh dot kusari, nuk e gënjen mashtruesi e nuk e përlyen dot vulgari ! Asgjë nuk e ndal pasionin dhe guximin e një ëndërrimtari ! Për ta bërë më të mirë botën ku jetojmë.”, shkruan Hafizi.
REAGIMI I PLOTË
Një dhuratë për JU
Bashkë me një grup astrofizikanësh nga Europa dhe Amerika po shkruajmë dhe përshtasim në shumë gjuhë të globit disa minilibra për Universin. Tashmë do t’i keni dhe në shqip, deri tani janë 5 e do shtohen kohë pas kohe. Mund t’i lexoni në ekran apo t’i palosni në formë libri-kjo është dhurata ime për të gjithë ata shqipfolës që e kanë kuriozitet qiellin, yjet, universin e paskaj. Janë shkruar thjesht, shkurt, me plot ilustrime dhe imazhe të mjegullnajave, galaksive a planeteve marrë nga teleskopët më të fuqishëm që ka krijuar njeriu.
Viti 2017 ka qenë shumë bujar për Shkencat e Universit.
Valët gravitacionale që u kapën në muajin Shtator trandën zemrat dhe vunë në garë të ethshme mendjet e fizikanëve, këtyre njerëzve që mbajnë në supe peshën e pyetjes mijravjeçare : Prej nga vijmë ? Cila është origjina jonë ? Këto valë janë hapi gjigand drejt Big-Bangut, fillimit të kohës dhe hapësirës.
Gati 200 planete të reja janë zbuluar vetëm në këtë vit, disa dhe të ngjashme me Tokën tonë, secili prej tyre endje marramendëse rreth pyetjes : Ku po shkojmë ? Çfarë do të jetë e ardhmja jonë?
Këto tema ekzistenciale kanë qenë shtysa e njerëzve për të njohur universin e pamatë. Dija që kemi sot është vepra mahnitëse, ngritur në shekuj, nga ëndërrimtarët e pafre dhe kërkuesit e pacak, që patën guximin e çmendur të prekin të pafundmen. Se e pafund është fuqia e njeriut për ta njohur botën e për ta zotëruar në dobinë e vet. Këto dije, përmes minilibrash të shkruar thjeshtë, jam angazhuar t’jua dhuroj, në këtë vit shumë të veçantë për Shkencat e Universit.
I veçantë dhe në jetën time politike. Sepse qenë me mijra ata burra e gra që shpresuan një politikë tjetër dhe votuan me 25 qershor LIBRA-n, alternativën politike që unë ngrita me shumë mund e dashuri, bashkë me qindra të tjerë.
I përshëndes me respekt ! Dhe me besimin se asgjë nuk ka humbur nga shpresa e tyre e as e imja. Se ëndrrën nuk e zhbën dot intriganti e as ngatërrestari, nuk e shkel uzurpuesi e nuk e vjedh dot kusari, nuk e gënjen mashtruesi e nuk e përlyen dot vulgari ! Asgjë nuk e ndal pasionin dhe guximin e një ëndërrimtari ! Për ta bërë më të mirë botën ku jetojmë.
Gëzuar Vitin e Ri 2018 !
Ps. Faqja që duhet të vizitoni është www.tuimp.org
Shumë libra të tjerë do dalin, unë vetë po po shkruaj rreth grimcave të energjive të larta që godasin çdo ditë planetin tonë.
Diskutime rreth kësaj post