Gjykata Kushtetuese ka reaguar dje mbi debatin e ditëve të fundit sa i takon angazhimit të Komisionit të Venecias lidhur me zgjedhjet vendore. Më 23 qershor nisi shqyrtimi në gjykatë dhe kur pritej të bëhej me dije nëse do kemi apo jo zgjedhje të reja vendore, Kushtetuesja vendosi të kërkojë një mendim nga Venecia. Por kjo lëvizje ka sjellë shumë reagime si në politikë ashtu dhe në media. Të shumtë janë ata që kanë sulmuar gjykatën, ndërsa dje edhe presidenti Meta reagoi. Për këto arsye gjykata ka dalë me një deklaratë për mediat duke dhënë sqarime, por dhe duke ua bërë të qartë palëve se qëndrimet e saj duhet të respektohen.
“Gjykata Kushtetuese, duke shprehur shqetësimin e saj rreth keqinterpretimeve dhe keqinformimit në lidhje me këtë vendimmarrje, ndjen për detyrë institucionale të informojë sa më poshtë vijon. Ky vendim është i ndërmjetëm dhe mbështetet në nenin 44/b të ligjit nr. 8577, datë 10.02.2000 “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”, i shtuar në kuadër të ndryshimeve të reformës në drejtësi.
“Objekti dhe çështjet për të cilat u vendos të kërkohet ky opinion janë të ndryshme nga çështjet e trajtuara në opinionet e mëparshme të Komisionit të Venecias, të cilat Gjykata Kushtetuese pa dyshim i mban gjithmonë në konsideratë. Për më tepër, në morinë e çështjeve të trajtuara që nga rifunksionimi i Gjykatës Kushtetuese, ky është rasti i vetëm që ajo po e përdor këtë instrument”, thuhet në deklaratë.
Më tej theksohet se Gjykata Kushtetuese i është drejtuar edhe më parë Komisionit të Venecias, si një organ i specializuar i Këshillit të Europës me ekspertizë të thelluar në të drejtën kushtetuese dhe me një kontribut të çmuar në veprimtarinë e kësaj gjykate në çështjet me rëndësi të veçantë.
Para se të niste shqyrtimi i dosjeve të bujshme Kushtetuesja doli me një mesazh të qartë duke kërkuar nga të gjitha palët të zbatojnë vendimmarrjet e saj. Reagimi në atë kohë erdhi fiks pas një letër që presidenti kishte dërguar mbi rrëzimin e një kërkese të KLSH. Edhe dje Kushtetuesja reagoi po pas qëndrimit të presidentit. Në deklaratë ajo kërkon nga të gjitha palët që të përmbahen.
“Gjykata Kushtetuese, në deklaratën e saj të fundit për mediet, ka theksuar rëndësinë e respektimit të pakushtëzuar të vendimeve të saj dhe ka shprehur besimin se ushtrimi i veprimtarisë të kësaj gjykate në një klimë besimi nga kushdo do t’i shërbente forcimit të autoritetit të saj si organ kushtetues i pavarur. Gjykata konstaton se debati jokonstruktiv i ditëve të fundit jo vetëm që nuk i shërben kësaj klime besimi, por, përkundrazi, mund të perceptohet si përpjekje për ta përfshirë atë në debate me ngjyrime politike, të veshura nën petkun e diskurseve juridike për të paragjykuar vendimmarrjen e saj në lidhje me themelin e çështjes dhe si ndërhyrje në pavarësinë e saj”, shprehet gjykata.
Diskutime rreth kësaj post