Pas përjashtimit të ish-kryeministrit Sali Berisha nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike dhe rreshtimit krah Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kreu i PD, Lulzim Basha ka hedhur dje një tjetër hap të fortë sa i takon qasjes së tij politike. Duke folur para mediave në mbyllje të seancës parlamentare, ku u betuan deputetët e rinj dhe u votua zonja Lindita Nikolla si kryetare e Parlamentit, kryedemokrati Basha i është përgjigjur “flakë për flakë” ish-kryeministrit Berisha. Ky i fundit ka nisur një ofensivë ndaj Bashës, ndërsa e akuzon atë se është peng i kryeministrit Edi Rama. Por gjatë prononcimit të tij para gazetarëve, Basha theksoi se ndjen keqardhje që tezat e armikut të tij, Edi Rama i dëgjoi të artikuluara nga goja e Sali Berishës, personit që ai ka konsideratë dhe vlerësim. Në këtë kontekst, Basha ripërsëriti se është detyruar që të marrë vendimin e përjashtimit të Berishës nga grupi parlamentar i PD, ndërsa shtoi se koha është ilaçi më i mirë, duke shpresuar se marrëdhëniet e tij me doktorin do të rregullohen në një të ardhme.
“Kam ndjekur me dhimbje të madhe reagimin e doktor Berishës, konsideratën për të cilin e kam shprehur në mënyrë të plotë dhe të qartë mbrëmë dhe asaj nuk i lëviz asnjë presje. Dhimbja që ndiej në nivel personal dhe njerëzor për vendimin që jam detyruar të marr dje, është dyfishuar sot nga gjuha e përdorur nga zoti Berisha, por shpresoj dhe uroj që koha të jetë ilaçi më i mirë dhe të gjithë të fokusohemi te armiku i vetëm i Shqipërisë dhe i shqiptarëve që është regjimi i Edi Ramës, problemi kryesor për të sotmen dhe të nesërmen e shqiptarëve. Edhe njëherë shpreh keqardhjen e thellë që tezat e kundërshtarit të vetëm, timit, të PD, të çdo shqiptari të ndershëm, të Edi Ramës, sot i kam dëgjuar të artikuluara nga goja e një njeriu, vlerësimin për kontributin e të cilit e kam dhënë dje i qëndroj edhe sot”, deklaroi ai.
Por përgjigjja për ish-kryeministrin Sali Berisha, nuk ishte lajm i vetëm, pasi kreu i PD, Lulzim Basha është kujdesur që të sulmojë edhe kryeministrin Edi Rama. Prerë dhe qartë, kryedemokrati Basha theksoi se në Parlament gjenden persona, që sipas tij, duhet të ishin para drejtësisë, ndërsa shtoi se opozita do e kthejë sallën e Kuvendit në fushëbetejën e saj kundër korrupsionit dhe krimit.
“Brenda në sallë ndodhet sot pakica që ka dhunuar vullnetin e qytetarëve shqiptarë. Brenda në sallë ndodhen sot njerëzit që kanë minuar demokracinë shqiptare duke nisur nga Edi Rama, shkatërruesi i zgjedhjeve, i institucioneve të pavarura, i rendit kushtetues dhe i reformës në drejtësi që duhet të ishte para drejtësisë. Para drejtësisë duhet të ishin bashkë me të, monstrat e korrupsionit që e kanë bërë Shqipërinë vendin më të korruptuar të Ballkanit sipas raporteve të Departamentit të Shtetit, Arben Ahmetaj, Belinda Balluku, Damian Gjiknuri, që të dy të kapur në flagrancë në manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2016 dhe në manipulimin e zgjedhjeve të 25 prillit. Kjo nuk është mazhorancë, kjo është pakica e krimit dhe korrupsionit, pesha e të cilës bie mbi shqiptarët dhe fatet e tyre. Ne kemi një dhe vetëm një detyrë, këtë sallë dhe gjithçka jashtë kësaj salle, nga Vermoshi në Konispol ta kthejmë në një fushë-betejë me dhe për qytetarët shqiptarë deri në mposhtjen dhe largimin e këtij regjimi që ka marrë peng Shqipërinë”, nënvizoi Basha.
Diskutime rreth kësaj post