Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se më 29 qershor do të mbajë një video-konferencë me kryeministrat e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, për përmirësimin e marrëdhënieve brenda iniciativës rajonale të mini-Shengenit.
Mini-Shengeni është një nismë e përbashkët e Vuçiçit, kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, dhe atij të Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e ndërmarrë me qëllim të përmirësimit të zhvillimit ekonomik dhe bashkëpunimit rajonal.
Kosova ka refuzuar të marrë pjesë në këtë iniciativë, të cilën Albin Kurti e cilëson si ide e Serbisë për të ringjallur Jugosllavinë e re.
Megjithatë, në marrëveshjen për normalizimin ekonomik me Serbinë, të nënshkruar nga ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, më 4 shtator, 2020, në Uashington, njëra nga pikat parasheh edhe bashkëpunimin e Kosovës në kuadër të mini-Shengenit.
Vuçiç tha të enjten se pret që nga takimi të dalin vendime për veprime të përbashkëta kundër katastrofave natyrore dhe për qarkullim më të shpejtë të mallrave, njerëzve dhe kapitalit.
“Ajo që ka një rëndësi të madhe për ne, është sistemi i lejeve të punës: ai që merr lejen e punës në territorin e njërit prej tre vendeve, të ketë leje pune në të tre vendet. Me këtë do të sigurojmë më shumë fuqi punëtore, që mungon në Serbi”, – tha Vuçiç.
Kur bëhet fjalë për marrëdhëniet në rajon, Vuçiç tha se bashkëpunimi me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë do të rritet vazhdimisht.
Diskutime rreth kësaj post