Presidenti serb Aleksander Vuçiç është shprehur ditën e sotme se do të vazhdojë të punojë drejt “delegjitimimit të pavarësisë së Kosovës”.
Vuçiç ka bërë këto deklarata teksa ka komentuar raportin e Parlamentit Evropian (PE) mbi përparimin e Serbisë drejt pranimit në Bashkimin Evropian, të miratuar një ditë më parë.
Presidenti serb e ka konsideruar raportin si “gënjeshtra të zhveshura”, duke shtuar se deputetët e bllokut evropian kanë “humbur në kohë dhe hapësirë”.
“Ata duket se kanë lexuar një raport nga 2011 dhe jo nga viti 2021,” u ka thënë presidenti serb gazetarëve, gjatë një vizite në rrethinën e qytetit Shabac.
Në këtë raport, anëtarët e Parlamentit Evropian kanë paralajmëruar se normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë me Kosovën, dhe respektimi i vërtetë i të drejtave themelore në këtë vend, është element thelbësor për përcaktimin e ritmit të negociatave të pranimit në Bashkimin Evropian.
Lidhur me pjesën e raportit në të cilën PE ka shprehur shqetësim për “Fushatën për të delegjitimuar pavarësinë e Kosovës”, Vuçiç tha se ai është krenar për këtë dhe se do të vazhdojë të punojë për delegjitimimin e pavarësisë së Kosovës “për inat të Parlamentit Evropian”.
Diskutime rreth kësaj post