Qeveria shqiptare ka vendosur tashmë që të blejë dronë nga Turqia sipas mediave turke. “Yeni Safak”, një media pranë qeverisë turke, raporton se ekzekutivi shqiptar ka ndarë një fond prej 8 milion eurosh me qëllim blerjen e dronëve nga Turqia.
Sipas saj, fondi është ndarë që më datë 23 qershor kur edhe janë miratuar ndryshimet në Buxhetin e Shtetit, veprim përmes të cilit sipas turqve, qeveria shqiptare i shtoi buxhetit të ministrisë së Mbrojtjes edhe 8 milion euro për dronët.
“Sipas dokumenteve të publikuara nga Parlamenti, qeveria shqiptare ka ndarë një fond 8 milion euro për të blerë dronë me qëllim rritjen e sigurisë”, – shkruan gazetar turke.
Kjo e fundit zbulon se “vulën” për dronët e vuri vizita e ministrit të Brendshëm të Shqipërisë, Bledi Çuçi në fabrikën e dronëve “Baykar” në Turqi.
Nga ç’kuptohet prej gazetës turke, në mungesë të një reagimi zyrtar nga Tirana zyrtare, Shqipëria ka në plan të blejë dronë të paarmatosur nga Turqia. Më herët, kryeministri Rama kishte deklaruar se policia do të rrisë kapacitetet monitoruese të qytetarëve përmes dronëve inteligjentë.
Duket se deklarata e Ramës lidhet pikërisht me këtë marrëveshje të zbuluar nga mediat turke. Mbetet për t’u parë se kur do të vijnë fizikisht dronët turq në Shqipëri dhe cili do të jetë qëllimi i përdorimit të tyre.
Diskutime rreth kësaj post