Të paktën për Tiranën, mos bëni gati borëpastrueset! Meteoalb lajmëron se pas disa orësh, edhe kryeqyteti do të mbulohet me borë: “Sonte, mbrëmja dhe kryesisht mesnata sjellin dëborë në 90 për qind të territorit shqiptar.”
Por moti i keq dhe me temperatura ekstreme ka përfshirë të gjithë vendin dhe sipas sinoptikanëve, pritet që bora të mbulojë 90 për qind të territorit.
Sipas IGJEUM, në shumicën e qarqeve të vendit gjatë ditës së hënë do të ketë reshje mesatare, ndërsa në Vlorë dhe Gjirokastër reshjet do të jenë intensive. Pritet prania e reshjeve të dendura në formë dëbore, kryesisht në zonat malore, por edhe në ultësirat fushore deri në afërsi të bregdetit, me një shtrirje kohore nga dita e hënë deri në fillim të ditës së mërkurë.
Reshjet e dëborës në kuota të ulëta mund të sjellin problematika të ndryshme (deri në bllokime) të transportit rrugor. Kjo është pasojë e uljes së ndjeshme të temperaturave, duke bërë që gjatë netëve i gjithë territori të jetë me temperatura negative.
Sa u përket temperaturave, Instituti i Gjeoshkencave parashikon që temperaturat minimale dhe maksimale të ajrit pritet të arrijnë:
në bregdet: +1 / 10;
në vendet e ulëta: 0 / 8 ;
në vendet malore: – 10 / 0 °C.
Nga llogaritjet hidrologjike të IGJEUM, rezulton se lumenjtë e mëdhenj, në të gjithë territorin do të kenë tendencë për rritje të prurjeve dhe niveleve përgjatë ditëve në vazhdim. Rritja më e ndjeshme do të vërehet në lumenjtë e vegjël jugorë (qarqet Vlorë dhe Fier) përgjatë datave 26 dhe 27 shkurt. Në këto dy qarqe mund të ketë edhe probleme të vogla nga përmbytjet urbane, në varësi të gjendjes së kanalizimeve.
Diskutime rreth kësaj post