Ish-kryeministri Sali Berisha ka nisur të mobilizojë njerëzit e tij besnikë për protesta në vjeshtë. Pas shpalljes person “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ish-kryeministri Berisha është shfaqur tepër aktiv në rrjetet sociale dhe politikë, duke treguar se s’ka ndërmend të tërhiqet.
Mirëpo, ky protagonizëm i shtuar i Berishës nuk është pritur mirë nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i cili përmes njerëzve të tij i ka kërkuar ish-kryeministrit të largohet nga politika dhe madje po jep çdo ditë sinjale se PD do të distancohet nga ish-lideri demokrat.
Por mesazhet për t’u larguar nga politika dhe Partia Demokratike të artikuluara nga goja e besnikëve të Bashës, si Mark Marku, Agim Baçi, Roland Bejko, etj, duket se kanë rënë në vesh të shurdhër, pasi Berisha nuk ka ndërmend të tërhiqet. Ditën e djeshme ai ka mobilizuar njerëzit e tij besnikë, duke i dërguar mesazh shefit të selisë blu që në shtator të nisë protestat kundër qeverisë. Ka qenë deputeti i zgjedhur i PD, Tritan Shehu, i cili teksa dje ishte i ftuar në një studio televizive dhe ku komentoi raportin përfundimtar të OSBE-ODIHR për zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, i bëri thirrje opozitës që të përdorë të gjitha mjetet për rrëzimin e qeverisë “Rama”.
“Kjo ishte një masakër zgjedhore e organizuar. Shteti u organizua për të tjetërsuar votën. Ky Parlament nuk është në përputhje me aspiratat e shqiptarëve dhe vullnetin e tyre. Kjo që thotë OSBE-ODIHR janë maja e ajsbergut e masakrës së 25 prillit për të deformuar vullnetin e shqiptarëve. Zgjedhjet janë të rëna, të pavlefshme. Ne kemi thënë që nuk i njohim këto zgjedhje. Opozita duhet të përdorë të gjitha mjetet për rrëzimin e këtij regjimi nga Parlamenti deri tek protestat”, – deklaroi Shehu.
Diskutime rreth kësaj post