Një ditë pasi mes gadishullit të Karaburunit dhe ishullit të Sazanit në Vlorë u gjetën mbetjet e një skafi, thellohet misteri.
Mëngjesin e sotëm, pjesëtarët e ekuipazhit të një peshkarexhe në Vlorë kanë gjetur një trup të pajetë, rreth 1 milje larg ishullit të Sazanit.
Pas këqyrjes së mbetjeve të skafit të gjetur ditën e djeshme, policia kufitare konstatoi se mjeti kishte të dhëna italiane, ndërsa dyshohet se i përket një shtetasi italian që u dyshua se mund të ishte mbytur para disa ditësh.
Policia shqiptare ka marrë kontakt edhe me homologët italianë të Guardia di Finanzas, të cilët kanë konfirmuar se bëhet fjalë për një mjet italian, raporton BW.
Rasti i sotëm, shton dyshimet se trupi i pajetë mund t’i përkasë ndonjë shtetasi që ndodhej në skaf, mbetjet e të cilit u gjetën mes Karaburunit dhe Sazanit.
Informacion paraprak i policisë
Rreth orës 09:00, në det pranë Ishullit të Sazanit, është konstatuar një trup i pajetë, mbi sipërfaqen e ujit.
Menjëherë shërbimet e policisë kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë konstatuar se trupi i pajetë ndodhet mbi sipërfaqen e ujit në afërsi të bregdetit, në pjesën e veriut të Ishullit të Sazanit.
Strukturat e Policisë së Vlorës bashkë me atë Kufitare si dhe Delta Forcë po punojnë për nxjerrjen e trupit të pajetë nga uji.
Po punohet për identifikimin e kufomës.
Diskutime rreth kësaj post