E gjithë policia e Tiranës do të jetë në gatishmëri, lidhur me revoltën që ka ngjallur tek qytetarët dhe shoqëria civile, tarifa për Rrugën e Kombit, dhe mbi të gjitha ndalimi i 23 protestuesve që morën pjesë në tubimin e dhunshëm të së shtunës.
Burime nga policia bëjnë me dije për “Gazetën Shqiptare”, se nisur nga situata, autoritetet kanë dyshime se protesta që po zhvillohet tashmë prej 24 orësh përpara Drejtorisë së Policisë, mund të përshkallëzojë në incidente të dhushme.
Për këtë arsye, është dhënë urdhër që të gjitha gjashtë komisariatet e Kryeqytetit të qëndrojnë në gatishmëri me forca të shtuara lidhur me trazira të mundshme.
Sakaq, në një lidhje të drejtpërdrejtë me News24, një nga protestuesit u bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Paskuqanit, Bathores dhe zonave përreth që t’i bashkohen protestës përpara Drejtorisë së Policisë, “deri në lirimin e vëllezërve tanë kuksianë”.
Po sot, policia referoi në Prokurori 8 qytetarë, pasi sipas tyre protestuan në mënyrë të paligjshme përpara Drejtorisë së Policisë.
Aktualisht në dhomat e paraburgimit në komisariatet e Tiranës, ndodhen 23 protestues të Rrugës së Kombit, mbi të cilët rëndojnë akuzat: Kundërshtim i forcave të Policisë, shkatërrim prone dhe shkatërrim prone me zjarr.
Diskutime rreth kësaj post