Taulant Muka, dha dorëheqjen nga posti i zv.ministrit të Arsimit disa ditë më parë, por duket se nuk ka ndërmend të ndalet me denoncimet e tij. Lidhur me konkursin e shefave të shërbimeve në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), Muka zbulon se si zëvendësministër ai kërkoi që të zhvillohej një konkurs bazuar në meritokraci dhe jo në nepotizëm.
“Sot zyrtarisht duhet të fillonte procesi i intervistave të shefave të shërbimeve në QSUT”, shkruan Muka ndërsa shpalos edhe katër pikat, pjesë e propozimit të tij për këtë konkurs.
“Në pozicionin tim si zv/Ministër kërkova:
1. Riformatim të komisionit të vlerësimit të kandidaturave. Anëtarët e komisionit nuk kanë ekspertizën e duhur për të vlerësuar profilin akademik, shkencor dhe menaxherial të kandidatëve. Si mundet një jurist në profesion, anëtar i komisionit aktual, të vlerësoje anën menaxheriale, kërkimore/akademike dhe klinike të një kandidati për shef shërbimi?
2. Të ndryshohet pikëzimi për vlerësimin e punës shkencore. Titulli akademik/grada shkencore (profesor, profesor i asociuar apo “doktor shkencash”) nuk është tregues i punës kërkimore në vendin tonë. Kriter i vlerësimit të punës kërkimore është produkti shkencor (artikuj të publikuar por jo në revistat grabitqare, grante të marrë etj). Për shembull, kemi dy kandidatë për shef të shërbimit të kardiologjisë: një kandidat shkencëtar me mbi 45 artikuj shkencor, me 3990 citime dhe H-index 27, dhe kandidatin tjeter i cili ka H-index 0 dhe asnjë publikim shkencor në Scopus. Gjithsesi, të dy mbajnë titullin profesor, dhe sipas kritereve të vlerësimit aktual, të dy këta kandidatë marrin të njëjtat pikë.
3. Të vendosen kritere të qarta për mënyrën si vlerësohet “Projekti për zhvillimin e shërbimit shëndetësor”. Shefi i shërbimit të një qëndre spitalore universitare është figurë e shquar akademike/shkencore në çdo vend perëndimor. Në ndryshim nga vendi jonë ku shërbimi fokusohet vetëm te kujdesi ndaj pacientit, në botë shërbimet spitalore universitare janë edhe qëndra edukimi dhe shkencore. Sot, studentët e mjekësisë enden në pavione, por nuk marrin edukimin e duhur. Gjithashtu, duhet lejuar që persona pa specilitetin e shërbimit ku konkurojnë, të jenë shefa shërbimi? Për shembull, duhet lejuar kandidat për shef sherbimi i neurokirurgjisë një kandidat që ka mbaruar kirurgji të përgjithshme?
4. Të bëhet konkurs publik dhe kandidatët të paraqesin publikisht platformat e tyre. Shefi i shërbimit të një strukture të një qendre shëndetësore në QSUT është person i rëndësishëm që ndikon në politikat shëndetësore (për shembull, lista e barnave të rimbursuara), edukuese dhe kërkimore në fushën e vetë dhe ka impakt të drejtpërdrejtë te puna dhe formimi profesional i çdo specialist në vendin tonë. Rrjedhimisht, paraqitje e platformës publikisht do përfshinte në proces të gjithë specialistët në mbarë shqipërinë që janë të lidhur me shërbimin përkatës.
etj…etj..Pytja që i duhet shtruar Ministrit të Shëndetësisë, Ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Kryeministrit është: Do e lejoni që ky konkurs me standarde jo perëndimore të vazhdojë?”.
Diskutime rreth kësaj post