Ahmet Premçi, ish-Drejtori i Policisë në mandatin e parë të Sali Berishës, që punoi si drejtor i Edi Ramës edhe për dy vjet të tjera nga 2013 deri në 2015, iu bashkua çadrës së protestës pas nxjerrjes së librit me poezi me shumë publicitet, si një shenjë që kryepolici me gradën ekuivalente Gjeneral do të kandidojë për deputet në zgjedhjet e 18 qershorit.
Deri këtu asgjë e keqe. Zgjedhje e lirë dhe normale, madje bën edhe një lloj zëvendësimi elitash në kupolën e PD-së gjithsesi.
Por gjeneral Premçi që u katapultua si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, duke zëvendësuar Bajram Ibron, kaloi nga “karantina” e Lazarattit ku shërbeu si Drejtor i Gjirokastrës. Ishte një lloj zakoni që shumë nga drejtorët e Gjirokastrës vinin me bujë në Tiranë në poste më të larta, megjithëse Republikën e pavarur të drogës nuk e preknin.
Premçi në fjalimin e tij preku çështjen e kanabisit, duke thënë se gjatë qeverisjes së PD-së nuk kapej asnjë sasi nga Italia apo kapej shumë pak dhe e krahasoi sot me kapjen e sasirave të mëdha.
Dhe këtë e argumentoi si rritje të sasisë së drogës së kultivuar dhe trafikuar.
Një gjykim aspak profesional dhe semplist. Kjo pasi pikërisht sasia e moskapjes së drogës nga organet e policisë partnere tregon se nuk ka pasur asnjë bashkëpunim, pasi siç dihet shumica për të mos thënë të gjitha operacionet e kapjes së drogës vijnë vetëm nëpërmjet bashkëpunimit të ngushtë mes mafies dhe policisë shqiptare.
Megjithëse ekzistonte moratoriumi i skafeve, e gjithë droga trafikohej me mjete të mëdha detare dhe këto të evidentuara nga Guardia di Finanza në raportet e saj vjetore, në të cilat shpalli se në Lazarat prodhohej mbi 4 miliard euro vlerë droge në një vit, e cili natyrisht që trafikohej me të gjitha rrugët. Normalisht nuk ndiqte rrugën normale me traget, pasi bëhej fjalë për sasira të mëdha.
Por për të bërë një analizë fare, po fare të thjeshtë, mjafton të shfletosh raportet e Zyrës së OKB-së për luftën ndaj Drogës dhe Krimit. Kjo zyrë që është drejtuar nga legjenda të luftës ndaj drogës dhe ku shpesh krerët e saj kanë qenë objekt i atentateve nga narkotrafikantët, pasi publikon raporte të sakta dhe preçize për prodhimin, trafikimin, shitjen, çmimet dhe ndikimin e narkotikëve të të gjitha llojeve në shëndetin e popujve të botës.
Për ta ndihmuar çadrën por edhe Premçin vetë, morëm dhe analizuam disa prej raportevve të UNODC në vitin 2008, 2009 dhe vitet 2014 dhe 2016. Kjo pasi PD thotë shpesh se mandati i saj i parë ka qenë “për së mbari”.
Është shumë e thjeshtë sepse raportet e saj janë online në adresën www.unodc.org.
Dhe çfarë doli?
Në raportet e vitit 2008 dhe 2009, Shqipëria përmendet thuajse në të gjithë kapitujt për trafikun e gjerë të heroinës, kultivimin e kanabisit, prodhimin e rrëshirës së hashashit që është një nga drogërat më të shtrenjta, trafikimin e tyre dhe natyrisht edhe për kokainën dhe drogat plastike.
Por për kanabisin, shikohet fare qartë edhe në fotot bashkëngjitura se me një kërkim(serch) të thjeshtë me CTRL+F shkruaj Albania dhe gjen pafund rezultate me të shkruar dhe tabela ku Shqipëria është në krye të listave të prodhimit dhe trafikimit të kanabisit. Është në krye të listës për trafikimin e heroinës, e cila duhet thënë se është zhdukur fare pas 2013-ës ndërkohë që në qeverisjen e PD ka qenë një nga drogat që zinte peshë të madhe në tranzitimin e saj nga Afganistani apo pjesa kurde e Turqisë drejt Italisë.
Pse këta e kanë harruar heroinën dhe s’flasin fare?
Nejse, nejse qëndrojmë te kanabisi. Në raportet e 2008 dhe 2009 Shqipëria është vendi kryesor i prodhimit dhe trafikimit të kanabisit dhe vajit të hashashit drejt Europës dhe renditet në listë bashkë me Marokun që është prodhuesi më i madh në botë i hashashit dhe Afganistanin.
Mund të duket çudi, por në raportet e vitit 2014 dhe 2016, Shqipëria ekziston si një vend që prodhon kanabis, theksohet gjithashtu që pas Hollandës është një prodhues i rëndësishëm, por nuk është në krye të listave së bashku me Marokun, Turqinë dhe Afganistanin siç ishte në vitet 2008 dhe 2009.
Ndërkaq nuk përmendet fare vaji i hashashit që prodhohej posaçërisht në Lazarat dhe heroina që është zhdukur fare. Ja këto janë prova dhe mund të vërtetohen fare lehtë. Të tjera janë pallavra si i ashtuquajturi tren i mbetjeve që i prodhon mendja e sëmurë e doktorit që tashmë e ka lepurin në bark./pamfleti.com
Diskutime rreth kësaj post