Përgatiti Fatjon Baze
Partizani do të përballet këtë fundjavë kundër skuadrës së Teutës në kuadër të javës së 30-të Kategorisë Superiore, sfidë e cila do të zhvillohet ditën e dielë në orën 19:00 në stadiumin “Selman Stermasi”.
Një sfidë e cila pritet të jetë mjaft e fortë, kjo për shkak të objektivave që kanë të dyja ekipet.
Partizani do të kërkojë që të marrë maksimumin në këtë sfidë tre pikët, për të vijuar rrugën drejt titullit kampion pas ndalesës që bënë javën e kaluar në transfertë kundër Vllaznisë në “Loro Borici” ku barazuan me rezultatin 1-1. Një hap fals ky për të kuqtë të cilët tashmë kryesojnë tabelën me pikë të barabarta së bashku me Kukësin.
Nga krahu tjetër, Teuta nuk vjen për shëtitje në kryeqytet pasi ende nuk e ka siguruar plotësisht qëndrimin mes më të mirëve në Superiore. Durrsakët e drejtuar nga, Gugash Magani, notojnë në ujrat e ftohta në tabelën e renditjes dhe në rast të një humbjeje tjetër, pozitat do të rëndoheshin akoma dhe më shumë.
Në këtë sezon në tre takimet e para Partizani ka qenë superior ndaj Teutës, ku bilanci është dy fitore dhe një barazim.
Në sfidën e parë të luajtur në transfertë në “Niko Dovana”, Partizani arriti që të triumfojë me rezultatin e pastër 0-2, falë golave të shënuar nga Sotiq Atanda dhe sulmuesi Caleb Ekubam.
Në takimin e dytë të kuqtë dolin sërish fitimtarë duke fituar me rezultatin e ngushtë 1-0 me autor të golit Ekuban, ndërsa në takimin e tretë ndeshja u mbyll me rezultatin e barabartë 0-0.
Sfida e së dielës ka një rëndësi të madhe për të dyja ekipet që kanë objektiva të kundërta, por me të kuqtë që kanë më shumë shanse për të triumfuar pasi luajnë në shtëpinë e tyre, ku dhe mbështetja e tifozerisë pritet që të jetë e madhe.
Diskutime rreth kësaj post