Kreu i FRD-së, Sali Shehu u shpreh i vendosur se nuk do të dalin nga zyrat e selisë së tyre, deri në shbërjen e vendimit të Bashkisë së Tiranës. Në një prononcim për gazetaren e ‘News24’ dhe ‘BalkanWeb’ Dorjana Bezat, Shehu tha në këto zyra ata kishin hyrë përmes një marrëveshje, me një kontratë me marrëdhënie kontraktuale. Shehu tha se nuk do të ikin nga zyrat.
“Nuk jam në dijeni të kësaj letre, pasi zakonisht në shtetin që këta pretendojnë se kanë shtet, letrat shkojnë në destinacion dhe i komunikohet njeriut të duhur. Heqja e dritave dhe bllokimi i derës ka qenë arsyeja se pse unë bëra publike këtë ngjarje të shëmtuar. Në këto zyra kemi hyrë qetësisht, me marrëveshje, dhe me një kontratë në një marrëdhënie kontraktuale. Jemi në kushtet e plotësimit të ligjit që ka çdo parti politike që gëzon të drejtën që të ketë një ambient. Për sa do ta kemi i takon KQZ-së. Veliaj mund t’i drejtohet Celibashit që ta verifikojë këtë gjë. Unë ia kam dërguar dhe grafikun e votave nga 2013-ta e deri këtej. E dyta; edhe po të ishim në kushtet ligjore që pretendon Veliaj, kemi filluar fushatën elektorale, dhe paritë nuk nxirren nga zyra. Jo nuk ikim, këtu do të na gjeni, sot dhe mot!”, tha Shehu, teksa zyra ndriçohet me qiri, pasi është prerë energjia elektrike.
Zyrat e katit të tretë në godinën përballë parlamentit në rrugën “Abdi Toptani” që u shndërruan në mollë sherri mes bashkisë e Frymës së Re Demokratike, përplasje në të cilin u përfshi edhe presidenti Meta janë në përdorim nga kjo parti politike që në prill të vitit 2016. ‘News 24’ dhe ‘BalkanWeb’ mëson se kjo godinë së bashku me truallin ka qenë shtetërore dhe më pas ka kaluar në pronësi të Bashkisë Tiranë më 28 gusht 2013 me një vendim të firmosur nga kryeministri i asaj kohe Sali Berisha. Në vendim thuhet se godina 801.4 m2 dhe trualli 1266.6 m2 do të përdoreshin për interesa vendore dhe do të ishin pjesë e inventarit të pronave të paluajtshme të bashkisë. Kalimi në pronësi të bashkisë të kësaj pasurie u bazua në nenin 100 të kushtetutës dhe ligjit “për transferimin e pronave të paluajtshme publike të shtetit në njësitë e qeverisjes vendore.
Këtë të premte kryetari i Frymës së re Demokratike Sali Shehu me anë të një letre i është përgjigjur njoftimit për lirimin e zyrave duke iu drejtuar kryetarit të bashkisë së Tiranës. Në letrën drejtuar bashkisë dhe për dijeni krerëve më të lartë të shtetit, ndërkombëtarëve, partive politike dhe të gjitha mediave në vend, Shehu thotë se ka pasur tentative për ti prerë dritat e për t’i penguar anëtarët e FRD të shkojnë në zyra. Këto veprime ai i cilëson të rrezikshme dhe thellësisht politike që vijnë fill pas firmosjes së marreveshjes me koalicionin opozitar Aleanca për ndryshim. Sipas shehut këto zyra i përkasin partisë Fryma e re demokratike bazuar në ligjin për partitë politike neni 22 pika b, pasi mesatarja e votave në tri zgjedhjet e fundit të kësaj partie është mbi 1 %.
Më herët kreybashkiaku Veliaj argumentoi se bashkia do të merrte zyrat e FRD-së pasi ajo nuk është një parti parlamentare dhe ka më pak se 1% të votave.
Video:
Diskutime rreth kësaj post