Konstitucionalisti Sokol Hazizaj shprehet në mënyrë kategorike kundër ndryshimeve kushtetuese. Në një intervistë për Report, Hazizaj thekson se nëse ndodhin ndryshime Kushtetuese ato duhet të bëhen me referendum.
Ai tha se ndryshimet kushtetuese shihen nga të gjitha subjektet politike vetëm si një mënyrë për të ardhur në pushtet. Duke iu referuar ndryshimeve kushtetuese për Reformën Zgjedhore dhe asaj Territoriale të PD, eksperti ligjor Hazizaj tha se ata synojnë ndryshimin e zonave zgjedhore që do të sjellë parashikimin e rezultatit të zgjedhjeve.
“Kam konstatuar në mënyrë të përhershme që prej 2008 -2020 kodi zgjedhor që rregullon në themel procesin zgjedhor ka ndryshuar në mënyrë vijuese për më tepër se 4 herë. Kjo do të thotë se partitë politike e shikojnë kodin zgjedhor si instrument për të ardhur në pushtet. Për këtë më vjen keq se anashkalohet vota e qytetarëve dhe të manipulohet vota e tyre. Unë nuk jam i pirur që të mirëpres ndryshimet e kodin zgjedhor çdo dy vite pasi edhe ndryshimet e mëparshme kanë dhënë të njëjtin rezultat dhe është tjetërsuar vota e qytetarëve. Ndryshimet e propozuara në Kodin Zgjedhor synojnë edhe ndryshime kushtetuese. Por ndryshimet kushtetuese duhet të jenë të rezervuara dhe serioze dhe se duhet të kalojnë me referendum. Mesa kam kuptuar duan të rikthejnë koalicionet, duan të rikthejnë zona zgjedhore, pasi duke ndryshuar ato parashikohet dhe rezultati, fitoren e njërit dhe humbjen e tjetrit, dhe së treti duke ndryshuar zonat zgjedhore do të vij kërkesa edhe për riformatimin e KQZ”, tha Hazizaj.
Duke komentuar ndryshimet e bëra në 2020 në Kodin Zgjedhor, Hazizaj tha se ata nuk sollën asnjë risi.
“Edhe ndryshimet e 2020 të kodit të zgjedhor nuk sollën risi sa i përket ruajtjes së votës dhe mënyrës së votimit dhe rezultatit. Raporti i OSBE/ODIHR ka konstatuar me të drejtë se ndonëse pajtuan pozitë dhe opozitë të përfaqësimit të tyre në Kuvend, nuk sollën asnjë risi tjetër të menaxhimit të votës. Madje edhe me këto ndryshime u gjet çelësi, ku listat e hapura apo gjysmë të hapura sollën manipulimin e votës së kandidatëve jo tek kundërshtari por brenda të njëjtës parti, e tregoi numërimi i KQZ tani. Pra kjo nuk ka të bëjë fare me listat por me mentalitetin politik”, tha Hazizaj.
Diskutime rreth kësaj post