Asambleja e Partisë Popullore Europiane ka miratuar këtë të martë një rezolutë, të propozuar nga partia greke pjesë e këtij grupimi politik në BE, Nea Dimokratia, ku flitet për sundimin e ligjit në Shqipëri, veçanërisht për rastin e Fredi Belerit, kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, të burgosur për korrupsion zgjedhor.
“I bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare që të respektojnë rezultatin e zgjedhjeve dhe të vijojnë me ceremoninë e betimit të kryebashkiakut të zgjedhur”, tha Thanasis Bakolas, sekretar i përgjithshëm i Partive Popullore Europiane.
- Dënojmë me forcë veprimet e qeverisë shqiptare kundër një kryebashkiaku të zgjedhur nga një minoritet dhe ndërhyrjen e tij të drejtpërdrejtë në proceset zgjedhore, që bien ndesh me vlerat europiane.
- Thekson se mungesa e flagrante e respektimit të sundimit të ligjit, të drejtave themelore, të drejtave të minoritetit grek dhe, mbi të gjitha, ligjeve të unionit, krijon një hendek politik mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.
- Nënvizojmë se asnjë shtet që kërkon të bëhet anëtar i Bashkimit Europian nuk duhet të veprojë në këtë mënyrë.
Për këtë rezolutë reagoi edhe kryeministri Edi Rama. “Interesante! “I bëjmë thirrje autoriteteve shqiptare”! Një thirrje pa specifikuar se cilave autoritete dhe, me siguri, pa u informuar se problemi në këtë çështje nuk është rezultati i zgjedhjeve, por vendimi i gjykatave, që e kanë refuzuar këtë kërkesë”, shkruan Rama në “X”.
“Përdora “me siguri” sepse do të ishte vërtet shokuese që e madhja Parti Popullore Europiane të kalonte një rezolutë të titulluar “Sundimi i ligjit” që bën thirrje për një vendimmarrje të ndryshme na ajo e Prokurorit Special kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatës Speciale më të njëjtin emër. Këto institucione u ngritën me mbështetje të plotë të BE-së dhe SHBA-së dhe ndihmohen nga afër nga SHBA e BE në punën e tyre mbresëlënëse kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar”.
Rama shprehet i gatshëm t’i japë këtij grupimi informacionin e nevojshëm rreth çështjes. “Çështjet e nivelit të lartë hetohen plotësisht, pavarësisht përkatësive politike dhe kjo sinjalizon fundin e një periudhe të gjatë pandëshkueshmërie”, shkruan Rama.
Diskutime rreth kësaj post