Presidenca ka reaguar menjëhera pasi parlamenti mori vendimin për ngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit të Republikës.
Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi tha se Presidentit të Republikës nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak në detyrë, si dhe vendimet e çdo institucioni tjetër kukull të këtij regjimi kleptokratik.
“Presidenti i Republikës Sh.T.Z Ilir Meta shpreh keqardhjen e thellë, që Kuvendi njëpartiak e refuzoi mundësinë që ju dha prej tij për t’u kthyer në shinat e Kushtetutës dhe të Ligjit.
Në këto kushte, bëjmë me dije se Institucioni i Presidentit të Republikës nuk do të njohë asnjë vendim apo veprimtari antikushtetuese dhe antiligjore të Kuvendit njëpartiak në detyrë, si dhe vendimet e çdo institucioni tjetër kukull të këtij regjimi kleptokratik.
Çdo produkt i një procesi fiktiv dhe antiligjor parlamentar, që bie ndesh me parimet dhe vlerat e shoqërisë sonë demokratike nuk meriton vëmendje dhe është nul.
Askush nuk mund të fshihet dot, as pas ‘etikës’ dhe as pas ‘retorikës’, sepse kjo është një çështje SOVRANITETI.
Presidenti Meta e di shumë mirë se çfarë ka ndodhur dhe është shumë i qartë në planin e Tij për atë që do të ndodhë në vijim”, – deklaroi zëdhënësi i Presidentit Meta.
Diskutime rreth kësaj post