Parlamenti i Malit të Zi miratoi në mesnatën e së premtes, me votat e 41 deputetëve të shumicës parlamentare, një rezolutë për gjenocidin në Jasenovac të iniciuar nga partitë pro-serbe dhe pro-ruse. Kjo rezolutë, sipas analistëve në Malin e Zi, mund të ndikojë në marrëdhëniet me Kroacinë fqinje, e cila më parë paralajmëroi me një notë proteste Podgoricën për pasojat e mundshme të kësaj rezolute. Në parlamentin që numëron 81 vende, morën pjesë 42 deputetë, nga të cilët vetëm njëri ishte kundër rezolutës së miratuar.
Debati për rezolutën për gjenocidin në Jasenovac u përfshi në rendin e ditës të seancës me propozim të kryetarit të parlamentit Andrija Mandiç, i cili është përfaqësues i partive pro-serbe dhe pro-ruse në Malin e Zi.
Ai tha se rezoluta e propozuar që mbështetet nga shumica parlamentare nënkupton se “rezoluta do të marrë një formë më të gjerë dhe do të quhet rezoluta për gjenocidin në Jasenovac, sistemi i kampeve Dachau dhe Mauthausen”.
“Njerëz nga Mali i Zi, bashkatdhetarë tanë, qytetarë të ish-Mbretërisë së Jugosllavisë, në të cilën ndodhej Mali i Zi, kanë humbur jetën edhe në sistemin e kampeve Jasenovac, Dachau, Mauthausen gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në këtë mënyrë, ne duam të dërgojmë një mesazh respekti për paraardhësit tanë që vdiqën atje”, tha Mandiç.
Propozimi i rezolutës për Jasenovac-in, ndodhi pasi qeveria e Milojko Spajiç mbështeti muajin e kaluar rezolutën e OKB-së për përkujtimin e gjenocidit në Srebrenicë, të cilën partitë pro-serbe dhe pro-ruse e kundërshtuan.
Për shkak të miratimit të rezolutës për Jasenovcin, e cila gjendet në territorin e Kroacisë, menjëherë reagoi Ministria e Jashtme kroate duke vlerësuar veprimin e vendit fqinj si instrumentalizim i viktimave për qëllime politike.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Evropiane e Kroacisë shprehu keqardhjen e saj që “Mali i Zi vendosi të injorojë thirrjet për të mos politizuar viktimat e Jasenovacit dhe për të mos ndërmarrë hapa që mund të ndikojnë negativisht në marrëdhëniet dypalëshe dhe në rrugën evropiane të Malit të Zi”.
Në deklaratë thuhet se marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë një nga elementët kyç të procesit të zgjerimit dhe një nga kriteret kryesore për vlerësimin e progresit në procesin e anëtarësimit të Malit të Zi.
“Republika e Kroacisë priste që, pas marrjes së IBAR-it, Mali i Zi do të përmbahej nga çdo aktivitet që mund të çonte në prishjen ose përkeqësimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë dhe se do t’i përqendronte përpjekjet e saj në përmbushjen e kushteve dhe standardeve në procesin e anëtarësimit, disa prej të cilave janë veçanërisht të rëndësishme për Republikën e Kroacisë”.
Ministria kroate thotë se Mali i Zi duhet të tregojë progres në fushën e përpunimit të krimeve të luftës, zgjidhjen e rasteve të personave të zhdukur dhe çështjen e kompensimit për viktimat, dhe në përputhje me qëndrimin e përbashkët të BE-së për kapitullin 23.
“Republika e Kroacisë pret që Mali i Zi të ketë prioritet zgjidhjen e çështjes së përcaktimit të përgjegjësisë për krimet e kryera nga qytetarët malazezë gjatë agresionit kundër Republikës së Kroacisë në vitet 1990”, thekson ministria kroate.
Rezoluta për Jasenovcin u kritikua ashpër edhe nga opozita malazeze, duke vlerësuar se ajo dëmton interesat kombëtare të Malit të Zi ku ndër të tjera, mund të ndalojë rrugën e integrimit drejt Bashkimit Evropian.
“Mali i Zi do të vazhdojë të nxitojë i përqafuar në nacionalizëm dhe shovinizëm dhe duke i bërë favore Beogradit nga ata që janë ose të shantazhuar ose të paguar,” thanë përfaqësuesitë opozitarë.
Ata vlerësojnë se rezoluta është një mashtrim, për faktin se askush nuk e konteston gjenocidin në Jasenovac.
“Për hir të qëndrimit në detyrë apo për hir të hyrjes në qeveri, jeni gati të shkelni mbi viktimat. Kjo nuk sjell pajtim, por përçarje të reja”, thuhet në reagimin e opozitës malazeze.
Jasenovac përkujtohet si një kamp përqendrimi i krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin e Kroacisë. Në Jasenovac u vranë dhe u dhunuan me dhjetëra mijëra vetë, shumica e cilëve ishin serbë, romë dhe hebrenj.
Diskutime rreth kësaj post