Në Parlamentin Evropian është diskutuar të martën (5 tetor) për raportin rreth marrëdhënieve mes Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara (SHBA). Edhe pse janë dëgjuar shumë thirrje që BE-ja të ndërtoj kapacitetet e veta në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes, në mënyrë që të jetë më pak e varur nga Shtetet e Bashkuara, megjithatë është thënë se ka shumë fusha ku është i domosdoshëm bashkëpunimi.
Këtu është përfshirë edhe nevoja për angazhim të përbashkët të rajonin e Ballkanit Perëndimor. Në raport thuhet se “BE-ja duhet të bashkëpunoj më shumë me Shtetet e Bashkuara dhe të rindërtoj partneritetin strategjik lidhur me vendet e partneritetit lindor dhe Ballkanin Perëndimor në mënyrë që atje të ndërtohen shoqëritë demokratike dhe shumëetnike, rezistuese ndaj forcave autoritare lokale dhe të huaja”.
Po ashtu në raport thuhet se “Stabiliteti i Ballkanit Perëndimor dhe vendeve të fqinjësisë lindore është çështje e sigurisë dhe paqes për tërë rajonin”. Në të njëjtin tekst të raportit përshëndetet edhe rritja e koordinimit mes Shteteve të Bashkuara dhe BE-së në mbështetje të vendeve të Ballkanit Perendimor në rrugën e tyre drejt integrimit në BE. Mirëpo kërkohet që të ketë më shumë institucionalizim të bashkëpunimit mes Këshillit të BE-së dhe Departamentit të Shtetit në SHBA.
Po ashtu kërkohet një rol i fuqishëm udhëheqës i BE-së për të ndalur nismat që çojnë drejt ndryshimit të kufijve dhe nismave të ngjashme të cilat “do të thellonin ndasitë etnike dhe segregimin”.
Në raport thuhet se BE-ja ka rolin kyç në procesin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. “Unë fuqishëm besoj se vetëm përmes forcimit të partneritetit trans-atlantik mund të forcojmë edhe rendin multilateral botëror dhe të përballemi me sfidat e përbashkëta në luftë kundër ndryshimeve klimatike si dhe të rezitojmë ndaj regjimeve autoritare që rrezikojnë demokracitë tona”, ka thënë deputeti kroat, Tonino Picula, raportues për marrëdhëniet BE-SHBA në Parlamentin Evropian.
Më herët Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen ka folur përmes telefonit me presidentin amerikan Joe Biden. Shtëpia e Bardhë tha se Biden shprehu mbështetjen e tij të fortë për vazhdimin e pranimit në Bashkimin Evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Sipas burimeve të BE-së, në bisedë është diskutuar edhe për nevojën e veprimit të përbashkët në rajonin e Ballkanit Perëndimor, të cilin javën e kaluar e kishte vizituar presidentja e Komisionit Evropian.
Diskutime rreth kësaj post