Historitë me turistë të huaj që dyshohen për spiunazh po kthehen sa në qesharake, aq dhe shqetësuese për autoritetet ligjzbatuese.
Pak ditë më parë perimetri i repartit ushtarak 6640 që shërben dhe si agjencia e sistemeve të ndërlidhjes dhe informacionit të forcave të armatosura, është cenuar nga një shtetas çek.
Ai fluturoi me një parashutë mbi repartin ushtarak, duke alarmuar stafin e qendrës së ndërlidhjes në Tiranë, në zonën e njohur si “Rrapi i treshit”.
Çeku u ul thuajse në brendësi të infrastrukturës ushtarake dhe më pas u ndalua edhe nga policia që mbërriti me urgjencë në vendngjarje.
Rasti u vlerësua dhe nga anti-terrori ndërsa shtetasi çek pasi u mor në pyetje, rezultoi se ishte një turist që ushtronte sporte ekstreme.
Ai kishte fluturuar nga Mali i Dajtit me parashutë, pa ditur se do të zbriste pranë një baze ushtarake shqiptare ndërsa nga kontrolli dhe verifikimet nuk i është gjetur asgjë e kundërligjshme ndaj është lënë i lirë, raporton Euronews Albania.
Pas sulmit të ushtarëve në uzinën e Gramshit nga dy shtetas rus dhe një ukrainas të dyshuar si spiunë, Forcat e Armatosura kane rritur vigjilencën.
1 ditë pas ngjarjes së Gramshit u ndaluan dhe disa shtetas çekë në tunelet e Poliçanit, që gjithashtu rezultuan turistë.
Diskutime rreth kësaj post