Njëzet e pesë vjet më parë, Gjermania u quajt “njeriu i sëmurë” i eurozonës. Sot, ajo nuk e meriton ende të njëjtin emërtim, por gjërat mund të ndryshojnë nëse nuk e merr nën kontroll ekonominë e saj, së shpejti.
Lufta, frika e qytetarëve nga inflacioni, sanksionet kundër Rusisë bënë që ekonomia gjermane të binte në recesion vitin e kaluar. PBB-ja ra me 0.3 për qind në terma realë në 2023 krahasuar me një vit më parë, sipas të dhënave paraprake të Zyrës Federale të Statistikave Gjermane. PBB-ja u rrit me 1.9 për qind në vitin 2022 dhe vitin e kaluar u shënua një rënie në tremujorin e parë dhe të katërt. Perspektiva për vitin 2024 është përkeqësuar, shkruan “Der Spiegel”.
Sanksionet kundër Rusisë, produktet e shtrenjta të energjisë dhe diskutimet për ristrukturimin e ekonomisë në krizën klimatike e kanë vështirësuar punën e kompanive. Sipas vlerësimit të parë të Zyrës Federale të Statistikave në Wiesbaden, norma mesatare vjetore e inflacionit ishte 5.9 për qind. Në vitin 2022, inflacioni ishte 6.9 për qind, më i larti që nga viti 1990. Nuk pati rimëkëmbje të konsumit personal, një rritje e ndjeshme e çmimeve inkurajoi qytetarët të kursenin. Importet ranë edhe më shumë se eksportet, investimet në ndërtim ranë ndjeshëm.
Parashikimet
Shumë ekonomistë nuk presin një rimëkëmbje të qëndrueshme as këtë vit. Ata ulën parashikimet e tyre dhe tani presin rritje dukshëm më pak se një për qind. Instituti për Kërkime Makroekonomike dhe Ekonomike (IMK) i sindikatës së Fondacionit Hans Böckler sheh si një nga shkaqet kryesore, kufizimin ligjor të huamarrjes buxhetore, gjë që vështirëson investimet e rëndësishme në mbrojtjen e klimës dhe infrastrukturës. Më 15 dhjetor, Gjykata Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës vendosi që koalicioni qeverisës të mos shpenzojë 70 miliardë euro nga fondi i pandemisë, duke e detyruar qeverinë të bëjë shkurtime emergjente. Një nga pasojat janë protestat masive të fshatarëve. Sipas llogaritjeve paraprake, bazuar në prodhimin e përgjithshëm ekonomik, deficiti vitin e kaluar arriti në 2.0 për qind të PBB-së, sipas Byrosë Federale të Statistikave, kjo është shuma totale e deficiteve të fondeve federale, shtetërore, lokale dhe sociale. Në vitin 2022, deficiti total ishte 2.5 për qind. Pakti Evropian i Stabilitetit dhe Rritjes u lejon anëtarëve të BE-së një deficit buxhetor prej jo më shumë se tre përqind dhe një borxh total prej jo më shumë se 60 përqind të PBB-së. Ky rregull u pezullua përkohësisht për shkak të programit të ndihmës pandemike. Në prag të Krishtlindjes, ministrat e financave të BE-së ranë dakord t’i kushtojnë më shumë vëmendje situatës në vende të veçanta në të ardhmen.
Frika nga recesioni
Ekonomistët flasin për një recesion kur ekonomia tkurret në dy tremujorë radhazi dhe nëse bie në tremujorin e parë të këtij viti, Gjermania teknikisht do të jetë në recesion. Në vitin 2023, PBB-ja ra në tremujorin e parë dhe të katërt. Qeveria gjermane pret rezultate të dobëta ekonomike në tranzicionin nga 2023 në 2024, raporton ARD. Rezultatet e dobëta nga ekspertët fajësohen kryesisht për ngadalësimin e ekonomisë botërore, por edhe për hezitimin e gjermanëve për të shpenzuar për shkak të shkallës së lartë të inflacionit. Ekonomia gjermane ka qenë në një krizë pothuajse të vazhdueshme për gati katër vjet, sipas Institutit për Ekonominë Botërore nga Hamburgu (HWWI). Pandemia u pasua nga pushtimi rus i Ukrainës dhe më pas konflikti në Lindjen e Mesme. Prodhimi industrial ra në nëntor për të gjashtin muaj radhazi. Hera e fundit që ndodhi kjo ishte në vitin 2008 gjatë krizës financiare globale. A ka ndonjë shpresë për rikuperim në 2024? Ekonomistët janë skeptikë, inflacioni po rëndon mbi konsumin, rritja e normave të interesit po ngadalëson industrinë e ndërtimit dhe investimet, dhe ekonomia globale vazhdon të dobësohet. Kryeekonomisti i Commerzbank Jörg Krämer pret që produkti i brendshëm bruto të bjerë me 0.3 për qind në 2024. Kreu i Institutit Ifo, Clemens Fuest vlerëson se perspektiva ekonomike e Gjermanisë për vitin 2024 është “mjaft modeste”, midis zero dhe një për qind.
Diskutime rreth kësaj post