Paraqitjet e Luiza Gegës tashmë nuk përbëjnë më lajm, teksa atletja shqiptare është një garanci në çdo event ndërkombëtar ku merr pjesë, ndërsa garat kombëtare për të prej shumë vitesh janë vetëm një formalitet.
Gega ka çelur dje sezonin veror me konkurrimin në “BoXX United Manchester World Athletics Continental Tour”.
Një event që i mundësonte pjesëmarrjen në garën e 3000 metrave me pengesa, që është edhe disiplina e preferuar e atletes sonë.
Ndonëse gara zhvillohej me një ndryshim të madh temperaturash, në Mançester ishin 16-17 gradë celsius dhe pa kundërshtare që t’i jepnin një shtysë më tepër, Luiza Gega, bëri një paraqitje fantastike.
Atletja kuqezi krijoi një shkëputje shumë të madhe nga ndjekëset, duke e ndalur kronometrin në kohën 9:20.79, që është më pak se 1 sekondë larg rekordit kombëtar që ajo ka vendosur në Doha rreth tri vite më parë.
Ky rezultat i dha pa diskutim vendin e parë në garë, por është edhe më i larti i vitit në Europë deri më tani në 3000 metra me pengesa.
Gjithashtu, koha 9.20.79 e Gegës ishte edhe rekord për stadiumin e Mançesterit ku u mbajt gara.
Kështu, Luiza konfirmon momentin e artë, teksa prej vitesh është e vetmja atlete shqiptare arrin të kapë me normë të gjitha veprimtaritë europiane dhe botërore.
Ndalesa e radhës për Luiza Gegën do të jetë më 6 Qershor në Holandë sërish në 3000 m/p, aty ku do të ketë një garë me konkurrencë të lartë, ku nuk do të mungojnë kampionet etiopiane.
Atletja kuqezi shkon me ambicie të mëdha për një vend mes më të mirave si dhe për rekordin kombëtar.
Diskutime rreth kësaj post