Opozita e bashkuar thotë se është gati të ulet në tryezë për reformën zgjedhore, por ajo vendos disa kushte. Ish-ministri i Drejtësisë Ylli Manjani shprehet se nëse do të largohet nga tryeza vetëm për ti bërë qejfin disa militantëve do jetë shumë e dëmshme dhe jashtëzakonisht e rrezikshme për opozitën.
Ylli Manjani shkruan:
“Që të mos shfokusohemi.
Kam idenë se me ose pa dashje po i faturojmë padrejtësisht opozitës dhe veçanërisht Lulzim Bashës koston e mos ndryshimit të sistemit zgjedhor.
Padyshim do kisha preferuar që opozita në bllok të ishte nismëtare e një reforme të thellë zgjedhore e bashkë me të politike. Madhe jo reformë, por përmbysje ka vend të bëhet në këtë fushë.
Mirëpo të gjithë harrojmë se opozita zyrtare sot është e gjitha pa asnjë pushtet në dorë.
Asnjë, po asnjë fare!
Ajo nuk kondicionon dot drejpërdrejt vendimmarrjen monopartiake. Fija e barit të 9 kushteve të Bundestagut është shumë e dobët për të rivendosur opozitën në pozita diktuese.
Në këto kushte, ti kërkosh një opozite të bëjë reformë kur nuk ka gjë në dorë, llogjikisht nuk qëndron.
Mesa kuptoj opozita aktuale është më e marrë peng nga ajo e ashtuquajtura reformë zgjedhore e kërkuar edhe nga Bundestagu, që në fakt nuk është reformë por e lënë pa kontributin e opozitës, qeveria mund të ndihej legjitime të bënte dëme edhe më të mëdha zgjedhjeve të ardhshme.
Pra opozita, në këtë këndvështrim, është e detyruar të kontribuojë për përfundimin e atyre ndryshimeve ligjore që qarkullojnë, me qëllim që të shpëtojë nga “pengmarrja” që quhet reformë zgjedhore.
Sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më mirë do jetë për mjedisin politik në vend. Në fund të fundit aty do dukej vërtetë sa vlen kjo opozitë.
Në këtë moment, largimi i opozitës nga tryeza e Reformës Zgjedhore, për ti bërë qejfin militantëve apo të paduruarve do ishte shumë e dëmshme dhe jashtëzakonisht e rrezikshme.
Prandaj duhet pak durim dhe pak më shumë mirkuptim mendoj, pavarësisht se dekiku është shumë për të mbajtur në pushtet dikë që nuk qeveris por tregon përralla.
Sigurisht që pjesë e përrallave qeveritare janë “si i shkrova Lulit SMS”, “opozita nuk bën”, “Rama burrë shteti që sbie kurrë nga pushteti”, etj etj… Qëllimi në fakt është dëmtimi maksimal i imazhit opozitar në vend, duke shfrytëzuar ngërçin idiot të Reformës idiote Zgjedhore.
Ndërkohë, opozita nuk ka alibi për të fshehur mos prezantimin e projektit të saj për të ardhmen.
Unë kështu e shoh situatën aktuale opozitare.”
Diskutime rreth kësaj post