Në serinë e kërcënimeve kundër opozitës lidhur me bojkotin e zgjedhjeve të 30 qershori, Kryeministri Edi Rama ka marrë sot rolin e “zëdhënësit” të ndërkombëtarëve. Në mbledhjen me kandidatët për kryebashkiakë të PS, kryeministri Edi Rama deklaroi se atyre që do cenojnë standardin e zgjedhjeve do t’u hiqet e drejta për të hyrë në Amerikë dhe në vendet e BE.
“Duhen informuar se jo kushdo e di që kodi është shumë i ashpër në këtë aspekt dhe jo nuk ia vlen te digjesh, por mund të të fusë në listën e zezë të të dënuarve për krime zgjedhore që do t’u hiqet e drejta për të hyrë në SHBA dhe BE. Unë nuk dua kurrë unë që një shqiptari të vetëm, të zakonshëm t’ia shoh këtë qeder, e të mbetet tërë jetën pa hyrë dot në BE dhe SHBA, se shkoi e vajti pas një udhëheqje që do ta bëjë beje shesh të një përsheshi të neveritshëm, duke shkelur çdo kufij te rendit kushtetues, ligjor e logjik të kësaj republike”,- deklaroi kryeministri Edi Rama.
Një qëndrim i tillë nuk është mbajtur deri më sot nga asnjë prej ambasadorëve dhe përfaqësuesve të ndërkombëtarëve në Tiranë. Sot Edi Rama ka zgjedhur të bëjë “zëdhënësin” pa e autorizuar askush, duke u përpjekur të frikësojë përfaqësuesit e opozitës. Por në gjithë qëndrimet e Edi Ramës për zgjedhjet ka një problem që nuk duhet harruar. Qeveria nuk është gardiani i zgjedhjeve, por palë në to dhe zakonisht palët nuk marrin rolin e atyre që flasin si arbitër. Kryeministri si post dhe Edi Rama personalisht janë njerëzit që duhet të flasin sa më pak për zgjedhjet, edhe në një situatë normale me opozitën në proces dhe jo më kur që në nisje procesi rrezikon të mos njihet. Kjo për arsyen e thjeshtë, se Edi Rama sado të këqija të jenë zgjedhjet do të kërkojë që ato të shpallen si më të mirat në rajon, madje dhe në BE. Të kërcënosh në emër të BE dhe SHBA, jo vetëm tregon se kryeministri ka ngatërruar funksionet ligjore që kryen, por edhe tallet me partnerët ndërkombëtarë.
Sepse nuk ka ndërkombëtarë që do të deklaronte se do u heqim vizat 50 % të qytetarëve shqiptarë.
Diskutime rreth kësaj post