Delegacioni i Bashkimit Evropian në Tiranë, paralajmëroi qeverinë shqiptare se projekti i saj për ngritjen e një skeme të shtetësisë për investitorë të huaj dhe të pasur përbën rrezik për vendin si dhe mund të ndikojë lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në zonën Schengen.
Në përgjigje të pyetjeve të BIRN, delegacioni i BE-së theksoi gjithashtu se ky qëndrim u ishte bërë i qartë autoriteteve shqiptare përmes disa raporteve të Komisionit Europian, raportit të tretë dhe të katërt për Mekanizmin e Pezullimit të Vizave si dhe në disa takime të zhvilluara me zyrtarë të BE-së gjatë viteve të fundit.
“Komisioni ka ndërmarrë masa të forta kundër skemave të shtetësisë për investitorët brenda dhe jashtë BE-së. Komisioni i konsideron këto skema në kundërshtim me ligjet e BE-së, pasi ato shkelin parimin e bashkëpunimit të sinqertë dhe konceptin e shtetësisë së BE-së,” tha delegacioni për BIRN.
Delegacioni i BE-së theksoi edhe njëherë rreziqet që skema të tilla mund t’i sjellin Shqipërisë, sa i përket infiltrimit të krimit të organizuar, pastrimit të parave, evazionit fiskal dhe korrupsionin nëpërmjet “aplikantëve të mundshëm nga vendet e treta në një skemë të ardhshme shqiptare”.
Delegacioni theksoi gjithashtu aplikimi i këtyre skemave nga vendet e treta me qasje pa viza në Bashkimin Evropian e shqetësojnë Unionin, pasi “mund të përdoren për të anashkaluar procedurën e rregullt të vizave për qëndrim të shkurtër të BE-së dhe vlerësimin e thelluar të rreziqeve individuale migratore dhe të sigurisë që kjo sjell”.
Në kontekstin “e agresionit rus kundër Ukrainës”, Delegacioni i BE-së kujton gjithashtu se Komisioni u ka rekomanduar shteteve anëtare të BE-së që të ndërpresin menjëherë skemat e shtetësisë për investitorët.
Ngritja e një skeme për shitjen e pasaportës shqiptare është një ide e vjetër e kryeministrit Edi Rama, e cila u rikthye në qendër të vëmendjes pas miratimit të një vendimi më 29 korrik, përmes së cilës i hapet rrugë kontraktimit përmes koncesionit të një kompanie ndërkombëtare për promovimin e e pasaportës shqiptare në botë.
Por delegacioni i Bashkimit Evropian e konsideron këtë “një devijim” nga angazhimi i Shqipërisë për të përafruar legjislacionin e saj me BE.
“Me mbajtjen e Konferencës së parë Ndërqeveritare për hapjen e negociatave të anëtarësimit të BE-së me Shqipërinë më 19 korrik, Komisioni Evropian pret që autoritetet shqiptare të përafrohen gradualisht me acquis dhe t’i shmangen devijimit prej saj,” tha Delegacioni.
“Komisioni Evropian do të vazhdojë të ndjekë çdo zhvillim që lidhet me futjen e mundshme të një skeme të shtetësisë për investitorët në Shqipëri,” përfundoi Delegacioni./reporter.al
Diskutime rreth kësaj post