Presidenti Ilir Meta ka dalë me një mesazh të fortë pas publikimit të raportit të BERZH dhe paralajmërimeve të institucioneve të tjera ndërkombëtare për ekonominë shqiptare.
Meta shkruan se këto raporte tregojnë qartë krizën e thellë ku është futur vendi dhe duhet të punohet fortë për të mbështetur diversifikimin e ekonomisë në mënyrë që të ulet risku i krizave.
Shkrimi i Metës:
“Paralajmërimet e fundit të BERZH dhe të institucioneve të tjera ndërkombëtare për rritjen ekonomike të Shqipërisë, janë jo vetëm shqetësuese në një plan afatshkurtër, por dhe tregojnë krizën e thellë strukturore të ekonomisë sonë.
Ndaj duhet të punohet seriozisht për të mbështetur aktivitetet ekonomike aktuale, por dhe të mendohet për të tejkaluar krizën strukturore duke rishikuar modelin ekonomik.
Modeli ekonomik duhet të mbështetet në diversifikimin e ekonomisë për të ulur riskun e krizave dhe për të siguruar një zhvillim ekonomik të qëndrueshëm.
Ne duhet të punojmë për të shfrytëzuar kapacitetet potenciale të vendit tonë për të rritur prodhimin e energjisë, për të rritur vlerën e burimeve minerale dhe natyrore nëpërmjet përpunimit të tyre, për të rritur prodhimin industrial dhe për të shumëfishuar prodhimin bujqësor dhe atë agro-industrial.
Zgjerimi i kapaciteteve portuale, i rrjetit të transportit, si dhe i transmetimit të energjisë është potencialisht një mundësi tjetër për të shfrytëzuar avantazhin tonë gjeografik rajonal.”, – shkruan Presidenti Meta.
Diskutime rreth kësaj post