Gjykata Themelore njofton se gjyqtari i EULEX-it ka vendosur një muaj paraburgim për ish deputetin e PDK-së, Azem Syla.
“Këtë pasdite një gjyqtar i EULEX-it mori vendimin për të caktuar masën e paraburgimit prej një muaj, për të pandehurin A .S. Gjyqtari i procedurës paraprake të EULEX-it kishte lëshuar një fletëarrest për të pandehurin më 26 prill 2016. Ai është arrestuar më 29 prill 2016 dhe është sjellë para një gjyqtari të EULEX-it për caktimin e paraburgimit. Rasti është duke e ndjekur penalisht nga Prokuroria Speciale e Kosovës (PSRK).
Të gjitha palët kanë të drejtë ankese”, thuhet në njoftim.
Azem Syla, dyshohet për krim të organizuar lidhur me shitjen e pronave shtetërore. Ai është arrestuar të premten gjatë një aksioni të madh policor. Ai dyshohet se ishte udhëheqës i një grupi kriminal që merrej me shpronësimin e tokave dhe shitjen e paligjshme të tyre në periferi të Prishtinës. Është përmendur se dëmi i shkaktuar prej këtij grupi është rreth 30 milionë euro.
Azem Syla, po ashtu, ishte për një kohë numri një i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Prokuroria kishte dështuar të arrestonte Sylën në aksionin e ditës së mërkurë, pasi ai ndodhej në Shqipëri. Organi i akuzës kishte lëshuar një njoftim në të cilin thuhej se deputeti i PDK-së ishte prej dhjetë ditës në kërkim të drejtësisë.
Por, Syla, në fillim të javës kishte qenë bashkë me Kryeministrin Mustafa e Kryeparlamentarin Veseli në një tubim publik. Veç kësaj, pjesë e tubimit kanë qenë edhe policë, të cilët sigurojnë udhëheqësit shtetërorë./Gazeta Express
Diskutime rreth kësaj post