Instituti i Statistikave raportoi se papunësia u ul sërish në tremujorin e dytë të vitit ndonëse me një ritëm më të ulët se sa në tremujorët e mëparshëm.
Sipas INSTAT për periudhën prill qershor të këtij viti, shkalla e papunësisë në Shqipëri zbriti në 12.4 nga 12.5 për qind që ishte në tremujorin e parë. Ky është tremujori I dhjetë rresht që papunësia në vend shënon rënie duke zbritur në nivelin më të ulët që nga viti 2008.
Të dhënat e detajuara tregojnë se papunësia ka rënë për të gjitha moshat, por ulja më të madhe është regjistruar tek papunësia e të rinjve, ajo që mbetet treguesi më problematik I tregut të punës.
Sipas INSTAT, për periudhën prill qershor të këtij viti, papunësia e të rinjve u ul me gati 2 pikë përqindje duke zbritu në 22.6 për qind nga 24.5 që ishte në tremujorin e parë.
Të dhënat e detajuara tregojnë se rënia e papunësisë në tremujorin e dytë ka ardhur kryesisht nga rritja e punësimit në sektorin shtetëror dhe bizneset private, ndërsa numri i të punësuarve në bujqësi ka mbetur gati i pandryshuar.
Në shifra absolute ekonomia shqiptare shtoi 10 mijë vende të reja pune gjatë periudhës prill qershor, nga të cilat 6 mijë vende erdhën nga sektori shtetërore ndërsa pjesa tjetër nga bizneset private.
Në terma vjetor, pra krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, numri i të punësuarve në ekonominë shqiptare është rritur me 3.3 për qind ose rreth 71 mijë vetë, referuar të dhënave administrative nga listë pagesat e drejtorisë së tatimeve.
Diskutime rreth kësaj post