Në një reagim për mediat gjatë mëngjesit të sotëm nga terreni, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nisur pikërisht nga fakti që zona urbane e Tiranës nuk është prekur nga situata e përmbytjeve dhe se problematika kryesore është hasur në zonat kufitare të Bashkisë së Tiranës, ka kërkuar bashkëpunimin e bashkive fqinje për të marrë masat e duhura dhe për të ndërhyrë kudo ka problematik.
“Ajo që kërkohet është që duhet bashkëpunim nga të gjithë bashkitë fqinje. Ne mund të pastrojmë kanalet derisa vijmë në Kamzë dhe në Vorë por në qoftë se nuk pastrohen edhe në Kamzë dhe në Vorë atëherë sigurisht krijohet një tapë e cila gjithë ujërat i kthen mbrapsht. Kështu që kjo do një organizim dhe ftoj edhe kolegët e bashkive fqinje që edhe ata të bëjnë detyrën e tyre. Nuk mjafton që një bashki të performojë sepse ne i kemi të lidhura kanalet, nuk është se jemi ndarë hermetikisht me njëri-tjetrin kështu që në këtë sens duhet pak ndihmë nga të gjithë që të kullojë gjithë ky ujë që ka rënë edhe në pjesën më të madhe të Tiranës, unë kam ca kohë që jam në rrugë dhe situata është normalizuar”, tha Veliaj.
Pavarësisht situatës së emergjencës që është krijuar në gjithë vendin, kryebashkiaku Veliaj ka kërkuar nga qytetarët që të mos përfshihen nga paniku, por të bashkëpunojnë me 1200 forcat që Bashkia e Tiranës ka në terren dhe njësitë e tjera të specializuara në raste të tilla.
“Do u kërkoja qytetarëve pa panik, ne kemi një rend prioritetesh kur raportohet në sallat e emergjencave, i japim prioritet shpëtimit të jetës edhe gjësë së gjallë dhe pastaj gjëra si makina apo rraqe e gjëra që mund të rikuperohen sigurisht kanë një prioritet të dorës së dytë krahasuar me jetën e njeriut. Edhe fokusi mbrëmë ka qenë që bashkë me Policinë e Shtetit dhe me ushtrinë dhe agjencitë e bashkisë të ndihmonin njerëz që ishin bllokuar në zona periferike të Tiranës siç ishte City Park që është një zonë në kufirin e Vorës”, shtoi Veliaj.
/foto
Diskutime rreth kësaj post