Nënkryetari i Partisë Demokratike, Edi Paloka, ka reaguar lidhur me rrëzimin e ligjit për përgjimet nga Gjykata Kushtetuese. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, ai u shpreh se ky vendim i marrë nga gjykata është i drejtë. Paloka theksoi, se ky ligj i jepte mundësinë policisë që të përgjonte qytetarët pa asnjë urdhër nga institucionet e drejtësisë.
“Pas disa vendimeve të GJK dhe “zbulimeve” të SPAK, Gjykata Kushtetuese këto ditë ka marrë dy vendime të rëndësishme, atë për Teatrin Kombëtar dhe ligjin e policisë. Në ligjin për policinë, Gjykata Kushtetuese hedh poshtë si antikushtetues nenin që i lejonte policisë së Ramës, të përgjonte çdo qytetar pa asnjë kufizim e pa asnjë autorizim nga institucionet e drejtësisë. Shkeljet kushtetuese ishin evidente dhe për këtë janë kundërshtuar me forcë dhe me argumente nga opozita dhe një pjesë e shoqërisë civile”, – tha ai.
Ndër të tjera, Paloka foli edhe sa i përket operacionit së drogës ndërmarrë së fundit. Ai u shpreh se këto ishin denoncuar nga opozita prej kohësh. Ai theksoi se edhe policia ka qenë e përfshirë në trafikimin e drogës, ndërsa vijoi më tej duke thënë se me paratë e drogës u blenë edhe zgjedhjet.
“E njëjta gjë edhe me “zbulimet” e fundit të SPAK, mbi implikimin e drejtuesve të policisë dhe pushtetarëve në trafikun e drogës. Opozita e ka denoncuar me dhjetëra herë faktin që radarët fikeshin me urdhër për të lejuar trafikun e drogës. Tre ministra të Ramës kanë mashtruar në vite duke deklaruar se fikja e radarëve ishte “teknikisht e pamundur”! Tani rezulton që atë që “nuk e dinin” ministrat e dinin trafikantët dhe “kokëlopa” i ministrave. Në këtë aspekt “drejtësia triumfoi”, por ndërkohë me paratë e drogës janë blerë dy palë zgjedhje dhe ata që duhej të ishin sot në burg, janë në pushtet”, – tha ndër të tjera ai.
Diskutime rreth kësaj post