Pakti ndërmjet Fatmir Xhafaj dhe Arta Markut funksionoi në mënyrë të përkryer gjatë të mërkurës. Në ditën kur ministri i Brendshëm duhet të jepte llogari për dënimin e vëllait të tij në Itali për pjesëmarrje në organizatë kriminale narko-trafiku, Kryeprokurorja e Përkohshme bëri një lëvizje për të zhvendosur vëmendjen e publikut, duke shkarkuar drejtuesin e Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj.
Paradite, Partia Demokratike, nëpërmjet Enkelejd Alibeaj dhe Gazmend Bardhit zbuluan për publikun shqiptar vendimin e Gjykatës së Kasacionit të Italisë të vitit 2012, ku Agron Xhafaj, vëllai i ministrit të Brendshëm ishte dënuar me 7 vjet e dy muaj burgim.
Gjatë 5 viteve të fundit, kur në krye të qeverisë kanë qenë socialistët e Fatmir Xhafajt, policia shqiptare as nuk ka shpallur në kërkim dhe aq më tepër, të arrestojë Agron Xhafajn, si person i dënuar në Itali.
Por, kur opinioni publik priste një sqarim nga Ministri i Brendshëm për këtë fakt të rëndë, Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku ka menduar që ta shpëtojë nga ky siklet përballë qytetarëve.
Në mesditë, Prokuroria e Përgjithshme njoftoi se Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku ka shkarkuar nga detyra kreun e Prokurorisë për Krime të Rënda, Besim Hajdarmataj.
Në një njoftim për media, zyra e Kryeprokurores e argumentoi këtë lëvizje me nevojën për ritëm më të lartë të punës në atë prokurori të rëndësishme.
Por, Kryeprokurorja e Përkohshme Arta Marku e kishte të qartë se kjo lëvizje kuadri do të shoqërohej me reagime të shumta. Besim Hajdarmataj është një prej prokurorëve, pjesë e grupit të hetimit, të cilët kërkuan në Tetor 2017 arrestimin e ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri.
Kërkesa e tij për dhënien e autorizimit për arrestimin e Tahirit u refuzua me votë nga Partia Socialiste në Parlament.
Pak ditë më parë, Saimir Tahiri dha dorëheqjen nga imuniteti i deputetit dhe Besim Hajdarmataj, në krye të Prokurorisë për Krime të Rënda e kishte më të lehtë për të vijuar me arrestimin e ish-krahut të djathtë të kryeministrit Edi Rama.
Por, ndërkohë që pritej se si do të procedohej me Tahirin, Kryeprokurorja e Përkohshme, në kundërshtim flagrant me ligjin, vendosi shkarkimin e Hajdarmatës dhe emërimin e Donika Prelës, kryeprokurore e Durrësit, vetëm një ditë pasi kjo e fundit u përfshi në skandalin e vjedhjes së materialeve sekrete.
Arta Marku duket se ia doli, të paktën për disa orë, të shpërqëndrojë vëmendjen e publikut nga faktet e publikuara lidhur me vëllanë e Fatmir Xhafës.
Mesa duket, pakti Xhafaj-Marku, i cili mban emrin e koduar “Forca e Ligjit”, në fakt është një pakt për të mbuluar sikletet e qeverisë socialiste dhe Edi Ramës.
Diskutime rreth kësaj post