Pas përfundimit të takimit me kryetarët e partive të koalicionit, Lulzim Basha nuk dha asnjë prononcim për mediat. Por pak pas kësaj, Partia Demokratike shpërndau një deklratë për shtyp, ku thuhet se mbledhja e koalicionit vendosi ngritjen e disa strukturave të reja, të quajtura Kuvende Qytetare.
“Në tryezën e sotme Koalicioni Opozitar vendosi ngritjen e Kuvendeve Qytetare Për Zgjedhjet e Lira dhe të Ndershme anembanë Shqipërisë, me përfaqësues të spikatur të komunitetit dhe të gjithë grupeve të interesit, si pjesë e Lëvizjes Popullore për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Koalicioni Opozitar ritheksoi vendimin e marrë nga bashkimi popullor i 18 shkurtit se vetëm një qeveri teknike që do të zbatojë plotësisht dekriminalizimin, dhe do të angazhohet në luftën ndaj drogës, krimit dhe parave të paligjshme kriminale, mund të garantojë kushtet për zgjedhje të lira dhe të ndershme.
Koalicioni Opozitar shpreh vendosmërinë për të mos lejuar asnjë proces zgjedhor të manipuluar nga krimi në pushtet dhe paratë e drogës, dhe për të vazhduar deri në fitore betejën për zgjedhje të lira dhe të ndershme si interes jetik i Shqipërisë dhe shqiptarëve”, thuhet në deklaratën e PD.
Tashmë që protesta është futur në ditën e 19-të dhe energjitë kanë rënë, ndoshta me këtë organizim Basha kërkon t’i japë një impuls të ri kauzës së tij. Ende nuk dihet se çfarë forme do të kenë këto organizma, ndërsa akoma më e paqartë është detyra e tyre për të siguruar zgjedhje të lira dhe të ndershme. Nisur edhe nga emri që i është vënë, mbetet për t’u parë nëse këto “Kuvende Qytetare” janë një gjetje artistike apo do të japin impakt real.
Gjithashtu, sipas burimeve nga brenda PD-së thuhet se aleatët e djathtë kanë rënë dakort për të mos marrë pjesë në zgjedhje pa u larguar qeveria Rama. Edhe gjashtë partitë opozitare që janë regjistruar tashmë pranë Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, mësohet se do të tërheqin regjistrimin e tyre. Mbetet për t’u parë edhe reagimi i ndërkombëtarëve përballë një vendimi të tillë, pasi ata gjithmonë janë shprehur për pjesëmarrjen në zgjedhje dhe nuk kanë mbështetur bojkotin.
Diskutime rreth kësaj post