Qeveria do të mobilizojë kapitalin privat për të financuar një paketë të gjerë projektesh në vepra publike, kryesisht në infrastrukturë dhe turizëm.
“Kjo paketë bën të mundur që të investohen 700 deri në një miliard dollarë plus në 2-3 vitet e ardhshme”, tha Ahmetaj.
Bërja e investimeve nga privatët do të garantohet nga buxheti. Ligji e lejon qeverinë të paguajë deri në 5 për qind të të ardhurave buxhetore për koncesionet.
“Çdo gjë do të ndodhë brenda kuadrit makroekonomik. Nuk do të rritet deficiti, përkundrazi do të ulet. Nuk do të rritet borxhi, përkundrazi do të ulet”, tha më tej ministri Ahmetaj.
Ahmetaj tha se paketa është ideuar nga kryeministri dhe synimi i saj është të rikthejë rritjen e shpejtë ekonomike në Shqipëri, si në nivelet para krizës.
“Vazhdojmë të ngelemi në të njëjtat parashikime për këtë vit, me 3.3 deri në 3.5%. Ne synojmë të kalojmë vitin tjetër në 4 dhe me paketën që ka ideuar kryeministri, të kalojmë 5 dhe 6 për qind në vit, që qytetarët ta ndiejnë më shumë rritjen ekonomike, e mos ta shohin thjesht si statistikë”, deklaroi Ahmetaj.
Ministri i Financave tha se ekonomia ka dalë përfundimisht nga kriza dhe dëshmitari më i mirë për këtë janë vlerësimi i tregjeve ndërkombëtare për Shqipërinë.
“Eurobondi nga 5.75 për qind interes, kur u emetua, sot kuotohet me 3.1 për qind. Kjo tregon sesi na shohin tregjet”, tha Ahmetaj.
Ministri i Financave la të kuptohet se qeveria mund të rrisë me 1.000 lekë pagën minimale për efekte të sigurimeve.
Diskutime rreth kësaj post