Ish-kryetari i Bindjes Demokratike, Astrit Patozi thotë se Partia Demokratike po e paguan shumë shtrenjtë koalicionin me Partinë e Lirisë të Ilir Metës.
Patozi tha se bashkimi PD-PL është mekanik dhe kundër vullnetit të shumë demokratëve, për të cilët tha se nuk e duan Metën dhe partinë e tij.
Për rezultatin e zgjedhjeve vendore të 2023, Patozi tha gjatë një interviste në Abc News, se PD-PL do të marrin rezultat pozitiv, pasi aktualisht kanë zero bashki, por kjo nuk do të thotë që rezultati do jetë fitues.
“Astrit Patozi me shumë gjasa do të mbështesë kandidatët e opozitës, kandidatët unikë të opozitës. Te kryetari i bashkisë ne të bashkohemi te kandidati që të jetë përfaqësues i të gjitha forcave të opozitës. Kjo është ajo që kërkohet të arrihet në PD- dhe nuk po arrihet. Ata përpara se të mbyllin sherrin në shtëpi, u përqafuan me komshiun.
Unë them që PD është duke e paguar shumë shtrenjtë koston. Aleanca nuk e bën më të madhe PD-në. Unë nuk di që demokratët të kenë ndonjë kimizëm për Metën dhe partinë e tij, përkundrazi, dhe çdo bashkim mekanik nuk mund të sjellë frymëzim, frymë. Lumin do ta kalojnë ata se vjen data, puna është në ça kushtesh e kalon, çfarë rezultati do të arrijnë. Do të kenë rezultat më të mirë se nga zero bashki do të marrin disa bashki, por kjo nuk do të thotë që është rezultat fitues.
Është evidente që Berisha konrtollon shumicën e asaj partie, por puna është që është shumica e pakicës”, tha ndër të tjera Patozi.
Diskutime rreth kësaj post