Ka ditë që është rikthyer pjesërisht një retorikë e vjetër me partizanë e ballistë, duke shtënë xixat e një lufte civile, por vetëm në eter, se pas kamerave të gjithë ulen në kafe e zgjidhin hallet e njëri-tjetrit.
Kur Sali Protopapa i vërtetë ia behu në vitin 1991 në shtëpinë e Dritëroit për t’i thënë se e ka vizatuar mjeshtërisht portretin e komandantit të Ballit, por se ai nuk kishte qenë i tillë, të dy përfunduan duke pirë kafe. Sejfi Protopapa, fizikani i famshëm shqiptar në SHBA, deklaroi se u pajtua me Dritëroin, e se çdo gjë e bërë qe kaluar supeve.
Ky është një shembull i rëndësishëm se si elita e një kohe dhe dy anët e medaljes u bashkuan për të lënë prapa atë retorikë vrasëse.
Por ka edhe një shembull tjetër që ballistët dhe komunistët jo vetëm që nuk kanë luftuar kundër njëri-tjetrit, por janë bashkuar për të rrëzuar Partinë Demokratike, e cila ishte më e fortë se kurrë në pushtet.
Bëhet fjalë për vitin 1996, përkatësisht në tetor, kur u mbajtën zgjedhjet lokale. Vendi i zhvillimit të ngjarjes është Shkodra, qyteti më i madh i veriut të Shqipërisë.
Dy partitë tradicionale, Balli Kombëtar dhe Legaliteti, së bashku me të tjera, formuan grupimin “E Djathta e Bashkueme Shkodrane”, dhe paraqitën si kandidat për kryetar bashkie Bahri Boriçin, një mësues nga një familje me traditë qytetare, që kishte trashëgimi balliste.
Partia Demokratike, që sapo i kishte fituar zgjedhjet e 26 majit 1996 dhe në Vlorë bënte fushatë me kompanitë piramidale, kandidoi Lorenc Lukën, një ekonomist. PS-ja garoi me kryetarin e saj lokal, Sadetin Stankaj, edhe ai një ekonomist.
Në atë kohë zgjedhjet ishin me dy raunde; kandidati duhet të merrte 51 për qind të votave, ndryshe kishte balotash mes dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota.
Në 20 tetor, shumica e shkodranëve nuk dolën në votime duke mos patur shpresë se do të ketë zgjedhje, por se do të fitonte PD-ja, siç i “mori” ato më 26 maj. Veçse pushteti nuk u kujdes shumë për allishverishet, pasi fjeti rehat.
Në zgjedhje dolën më pak se 50% e elektoratit, dhe në balotazh doli kandidati i PD-së, Lorenc Luka, dhe Bahri Boriçi i DBSH-së, pra kandidati i Ballit dhe Legalitetit.
Arkitekti i kësaj aleance reaktive ishte intelektuali Mentor Quku, i cili pati forcën dhe vizionin për të ndërmarrë një revolucion në politikën shqiptare.
Në javën e balotazhit pati një mobilizim njerëzish që panë se PD-ja mund të mundej.
Dhe pas një jave u zhvillua balotazhi: Bahri Boriçi fitoi, duke i marrë thuajse të gjitha votat e elektoratit socialist. Madje kishte edhe një vendim politik “të pashpallur” të PS-së lokale se duhej votuar Bahri Boriçi.
Dhe pa zhurmë, pa zë e shamatë, ballistët dhe socialistët bashkuan votat që rrëzuan PD-në kur ajo ishte më e fortë se asnjëherë.
Pas një viti, Fatos Nano, i zgjedhur kryeministër, do duhej që sipas Paktit të San Exhidios të emëronte kryetar të Kontrollit të Lartë të Shtetit një përfaqësues të opozitës. Dhe Nano nuk emëroi një nga PD-ja, por një anëtar të Ballit Kombëtar, siç ishte Mustafa Kërçuku, i propozuar nga Hysen Selfo, kryetari i atëhershëm i Ballit. Për herë të parë Balli hynte si një pol pushteti në administratën qendrore.
Më pas Balli u nda në dy parti: në Ballin Demokrat dhe në Ballin klasik, i cili ruajti anatominë për një kohë të gjatë dhe më pas u bashkua sërish me PD-në, e sot prapë ka lëvizur.
Çka duhet vënë në dukje sot nga ky diskurs “pulash” është jorealizmi i tij, pasi politika, ngaqë nuk ka kauzë, fut duart në historinë, e cila nuk ka pse politizohet, dhe prish ato episode pajtimi e bashkëpunimi që kanë ndodhur në këtë çerekshekull postkomunizmi. /tesheshi.com
Diskutime rreth kësaj post