Hetimet e nisura mbi dyshimet për përgjime të paligjshme të Policisë së Shtetit me një pajisje të sjellë nga misioni italian Inteforcë në Shqipëri, çojnë në pezullimin e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako dhe arrestimin e dy vartësve të tij, oficerë të forcave operacionale.
Menjëherë pas këtij vendimi, prokurororë të kryeqytetit zbarkuan në zyrat e Drejtorisë së Policisë, ku sekuestruan kompjutera dhe materiale shkresore.
Me kërkesë të Prokurorisë, gjyqtari Arjan Aliaj vendosi pezullimin e Çakos nga detyra dhe vënien në arrest shtëpie të oficerëve, Artion Duka, me detyrë drejtor i forcave operacionale dhe specialistin e këtij sektori Entiol Xhelilaj.
Vendimi i gjykatës i është dërguar kryeministrit të vendit, i cili sipas ligjit ka kompetencat të shkarkojë kreun e policisë. Në njoftimin për shtyp, Prokuroria e Përgjithshme thotë se tre zyrtarët janë nën hetim për dyshimet se me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar aktivitetin të kundraligjshëm përgjimi me pajisjen “IMSI Catcher”.
Po cilat janë veprimet që hedhin dyshime mbi Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit dhe vartësit e tij?
“Në detyrën e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, nuk ka marrë masat që i takojnë me ligj për të siguruar hyrjen, administrimin dhe përdorimin e një pajisje specifike, “IMSI Catcher”, e cila është sjellë në Shqipëri nga autoritetet italiane, për qëllime trajnimi, siç deklarohet nga të dyshuarit. Kjo pajisje ka hyrë në territorin e vendit tonë pa iu nënshtruar regjimit doganor të përkohshëm dhe, për më tepër, pa marrë autorizimin përkatës nga Prokurori i Përgjithshëm, si autoriteti i vetëm që jep lejen për përdorimin e mjeteve të tilla. Nga të dhënat e deklaruara nga të dyshuarit, kjo pajisje ka aftësi, ndër të tjera, që të identifikojë numrat IMEI të telefonave, e cila është një procedurë që i nënshtrohet legjislacionit për interceptimin”, thotë Prokuroria.
Prokuroria pohon se deri më tani dyshohet se aparate celulare të ndryshëm mund të kenë qenë nën përgjimin e paligjshëm të pajisjes “IMSI Catcher”, e sjellë për mbështetje teknike nga Interforce, sipas një marrëveshjeje të 2007.
Top Channel mëson se në arsyetimin dërguar gjykatës, prokuroria vëren:
“Bazuar në marrëveshjen me Departamentin e Sigurisë italiane, ngarkohet pala shqiptare që, pavarësisht imunitetit që gëzojnë anëtarët e misionit Interforcë, pala shqiptare duhet të njoftojë palën italiane nëse dyshon se anëtarët e kësaj zyre kryejnë krim të evidentuar, jo në flagrancë. Haki Çako, jo vetëm që nuk e ka njoftuar këtë zyrë, por nuk ka kryer as verifikimet e duhura pranë Doganave, pasi në rastin konkret punonjësit italianë që kanë bërë të mundur futjen e aparaturës në territorin e Republikës së Shqipërisë nuk kanë deklaruar ekzistencën e pajisjes në pikën doganore”, thuhet në arsyetimin e Prokurorisë.
Duke ju referuar dëshmisë së Çakos dhe të drejtorit të forcave operacionale Artion Duka, që kanë deklaruar se pajisja “IMSI Catcher” është administruar nga italianët, prokuroria shton se kjo nuk është e vërtetë, pasi nga këqyrja e librit të hyrje daljeve, konkludohet se pajisja mbahej nga policia shqiptare dhe në të paktën dy raste, pajisja është transportuar nga i dyshuari tjetër, Endion Xhelilaj.
Duke kujtuar urdhrin për sekuestrimin e kësaj pajisjeje dhe refuzimin për ta dorëzuar, Prokuroria dyshon se pas këtij veprimi për anëtarët e policisë ka ndodhur diçka thelbësore, pasi pas kësaj date mjeti që mbahej brenda policisë pas kësaj date ka dalë dhe nuk është kthyer më. Për këtë arsye, ata janë vënë në hetim edhe për akuzën e pengimit të hetimit.
Diskutime rreth kësaj post