Zbardhet dosja e parë e megaskandalit RTSH, që ka përfunduar në SPAK. Një nga denoncimet, publikuar sot nga DITA hedh dritë mbi një prej aferave ku janë përfshirë drejtues të këtij institucioni.
Bëhet fjalë për të drejtat e transmetimeve televizive sportive. Sipas DITA-s, padia në SPAK është për kryeredaktorin e Departamentit të Sportit të RTSH, Pano Xhixho.
Z. Xhixho është kallëzuar zyrtarisht nën akuzën e “shpërdorimit të detyrës”, përvetësimin e funksioneve dhe tagrave, që nuk i takojne dhe shkaktim të dëmit rëndë ekonomik ndaj institucionit.
Një prej dokumenteve që shoqërojnë denoncimin, i konsultuar nga DITA, rendit disa dhjetra mijëra euro të tenderit për të drejtat mediatike të UEFA Women’s EURO 2025-27 dhe UEFA Under 21 Championship 2025-27 dhe UEFA Futsal Euro 2026.
Sipas dokumentit të marrë nga SPAK, Xhixho ka përdorur funksionin e tij të gazetarit në median publike, për të kryer biznes privatisht, pa e patur këtë tagër, duke përvetësuar nga ana tjetër, edhe kompetencat e Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH.
Në materialet në SPAK, shihen fatura me vlera që shkojnë nga disa mijëra në 10.000, 12.000 e 24.000 euro.
Hetuesit kanë zbuluar se në datën 7 korrik 2023, Xhixho ka vepruar në emër dhe për llogari të Drejtorit të Përgjithshëm të RTSH, pa qenë i autorizuar dhe pa patur asnjë tagër të deleguar prej tij.
Skandali ka marrë përmasa të pazakonta pasi veç pasojave financiare, ka sjellë edhe pasoja të rënda në programacionin e RTSH Sport, në veçanti dhe të rrjetit të RTSH në tërësi.
Duket e habitshme se si një gazetar, qoftë edhe kryeredaktor i një departamenti ka marrë të drejta, që të veprojë si një entitet biznesi privat në një media publike, e cila mbahet në këmbë kryesisht nga taksat e qytetarëve shqiptarë. Dihet se detyrat e një kryeredaktori janë vetëm të fushës informative, pra gazetareske.
Guximi për të bërë oferta financiare në emër të RTSH, edhe tani që në krye të saj është emëruar një drejtor i ri i përgjithshëm, dëshmon se ky mund të jetë një “ves” i vjetër i të denoncuarit.
Megjithatë i mbetet hetuesve për t’i shkuar deri në fund kësaj çështje, në mënyrë që publiku të mësojë përmasën reale të skandalit.
Xhixho rrezikon në këtë mënyrë, sipas asaj që prokurorët po hetojnë aktualisht, deri në 7 vjet heqje lire.
Dokumentat dalin në përfundimin se kjo praktikë e ndjekur nga drejtuesi i departamentit të Sportit, duket se është një praktikë e ndjekur edhe nga drejtues njësish, drejtorish dhe sektorësh të tjerë në këtë institucion publik.
Dokumentacioni i konsultuar dëshmon se RTSH-në e kanë përdorur si një lopë për ta mjelë për interesa private, korruptive dhe okulte.
E degraduar për 33 vjet me radhë në një rrangallë që nuk prodhon më programe të ndjekura nga publiku, RTSH ka qenë shpesh e lakuar për reforma, por kurrë më herët nuk është vendosur në qendër të një hetimi si ky i ndërmarrë së fundmi.
Rasti Xhixho dëshmon se përse vit pas viti RTSH humbi një e nga një me radhë të gjitha ekskluzivitetet sportive për t’u transmetuar pa pagesë për shqiptarët: Ndeshjet e kombëtares së futbollit, Superligën shqiptare të futbollit, por edhe mjaft evente të tjera të rëndësishme sportive, aq të dashura e të ndjekura nga publiku. Ato kanë shkuar sistematikisht vitet e fundit drejt platformave me pagesë, për të cilat çdo shqiptar duhet të paguajë fatura të kripura, muaj për muaj.
Interesimit të gazetës për z. Xhixho në RTSH, iu përgjigjën se pas zbulimit të skandalit, ai ka njoftuar se është “i sëmurë me raport” dhe nuk është paraqitur në punë.
Por, sipas kolegëve, kjo nuk e ka penguar që të udhëtojë jashtë Shqipërisë për të ndjekur ndeshjet ndërkombëtare të ekipeve shqiptare në kupat e Europës.
Në të vërtetë, ky denoncim rezulton vetëm maja e majës së ajsbergut të aferave të dyshuara korruptive në RTSH. Detaje të tjera janë duke u hetuar.
Në materialet nën hetim ka dhe çudira që do renditen në enciklopedinë me shumë faqe të korrupsionit në institucionet tona. Një nga ish-drejtuesit është denoncuar nga kolegët se ka ofruar për shitje arkivën e festivaleve të RTSH për të paguar borxhet e tij të kumarit. Personi njihet prej të gjithë kolegëve për vesin e bixhozit e megjthatë ka vijuar për vite të ketë post drejtues në institucion. Probleme dhe tensione kanë krijuar brenda institucionit edhe shkarkimet e fundit. Disa prej të shkarkuarve janë shprehur që kanë paguar shuma që shkojnë deri në 5 mijë euro për t’u punësuar dhe se do kërkojnë paratë mbrapsht. Regjistrime audio të këtyre ankesave dhe screenshot-e të mesazheve, qarkullojnë mes punonjësve.
Duke satirizuar situatën me të ikurit dhe hetimet e sapohapura nga denoncimi në SPAK, një nga punonjësit e vjetër të RTSH tha për DITA se shefat e ikur, po luftojnë më fort për të frenuar shkarkimet e reja, jo sepse kanë hallin e të shkarkuarve, por se duhet të kthejnë mbrapsht paratë për punësimet dhe fryrjen e organikës. /dita
Diskutime rreth kësaj post