Ajo çfarë është zbuluar nga dokumentet dhe hartat e Kadastrës së Anglisë është thuajse e pabesueshme: gjysma e Anglisë zotërohet nga më pak sesa një për qind e popullsisë së saj.
Analizimi i tyre që është bërë në kuadër të një libri të ri, tregon se 25 mijë pronarë tokash kontrollojnë pjesën më të madhe të vendit, pavarësisht se popullsia britanike është në shifrat e 55 milionë banorëve.
Kërkimi në fjalë zbuloi se 25 mijë pronarët me kaq shumë “fat” janë një përzierje mes anëtarëve të aristokracisë britanike dhe drejtuesve të koorporatave të fuqishme, në atë që kritikët thonë se tregon edhe njëherë sesa “habitshmërisht e pabarabartë” është shpërndarja e pasurisë në Angli.
Pikërisht këto të dhëna, të përdorura edhe për krijimin e një regjistri të përditësuar të pronarëve anembanë Anglisë, tregon se vetëm aristokracia britanike zotëron 30 për qind të territorit. 18 për qind e sipërfaqes së ishullit i takon koorporatave, ndërsa bankierët dhe oligarkët zotërojnë 17 për qind të territorit. Organizmat e sektorit publik, përfshi këtu këshillat dhe universitetet zotërojnë vetëm 8.5 për qind, ndërsa pronarët e shtëpive private, shoqatat bamirëse dhe Kisha e Anglisë zotërojnë rreth 7.5 për qind së bashku.
Studimi i kryer nga aktivisti dhe autori Guy Shrubsole tregon gjithashtu se, nëse territori do të ishte shpërndarë në mënyrë të barabartë në të gjithë popullsinë prej 55 milionë banorësh, çdokush do të kishte mundësinë e të pasurit në pronësi rreth 4.000 metra katrorë.
Mes zotëruesve më të fuqishëm të tokave janë Mbretëresha Elizabeth, biznesmeni James Dyson dhe firma e ujësjellësit, “United Utilities”.
“Disa mijëra dukë, baronë dhe kështjellarë zotërojnë më shumë tokë sesa e gjithë shtresa e mesme e Anglisë e marrë së bashku. Pronësia e tokës në Angli është tmerrësisht e pabarabartë, e përqëndruar rëndshëm në duart e një elite tejet të vogël”, thotë autori Shrubsole në librin e tij.
Rreth 17 për qind e tokës së Anglisë rezulton “e padeklaruar”, gjë që nënkupton se nuk është shitur ndonjëherë në treg të hapur, ndaj nuk figuron e regjistruar në Kadastrën britanike, institucion që mban emrin “Land Registry”. Me shumë gjasë, edhe ky seksion iu përket aristokratve, të cilët e kanë trashëguar ndër breza dhe nuk e kanë nxjerrë kurrë në shitje.
Diskutime rreth kësaj post