Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike publikoi treguesit kryesorë të aktivitetit gjatë 9-Mujorit të vitit 2016. Sipas shifrave të kompanisë niveli i humbjeve në rrjet gjatë periudhës Janar-Shtator ka zbritur në 27.6% nga 31 për qind që ka qenë ky tregues një vit më parë. Akoma më të ulta kanë qenë humbjet e muajit shtator që sipas kompnisë janë regjistruar në 22.1%.
E njëjta ecuri pozitive paraqitet edhe sa i takon treguesve të nivelit të arkëtimit të faturave korente të energjisë elektrike. Gjatë periudhës Janar-Shtator 2016 janë arkëtuar nga faturat korente (pa llogaritur arkëtimet nga aktmarrëveshjet) 42,9 miliard lekë.
Kompania njofton gjithashtu se “Që prej nisjes së operacionit për rikthimin e ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike, totali i aktmarrëveshjeve të lidhura ka arritur mbi 445 mijë prej të cilave 424 mijë i takojnë abonentëve familjarë ndërsa pjesa tjetër, rreth 21 mijë i takon abonentëve biznes. Rreth 65 mijë aktmarrëveshje rezultojnë të lidhura nga abonentë me ndihmë ekonomike, pensionistë kryefamiljarë dhe me status të veçantë. Deri më tani, 220 mijë abonentë familjarë kanë preferuar ta shlyejnë të gjithë detyrimin për të përfituar 70 dhe 80% reduktim të kamatës.
Diskutime rreth kësaj post