Kompanitë publike të energjisë OSHE, KESH dhe OST realizuan 5,4 miliardë lekë fitime (54 mln euro) në tremujorin e parë të vitit, sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Financave.
Pavarësisht se kompanitë publike kishin bilanc pozitiv në 3-mujorin e parë të vitit fitimet pësuan rënie me 33.6 për qind në krahasim me 3-mujorin e parë të vitit 2023 ku rezultati financiar ishte pozitiv në vlerën e 8,1 miliardë lekëve për të tre kompanitë.
Të ardhurat e të tre kompanive ishin 28,4 miliardë lekë në janar-mars 2024 me ulje vjetore – 11.6%. Nga ana tjetër shpenzimet për të tria kompanitë arritën në 23 miliardë lekë me ulje vjetore -4.1.
Fitimi më i lartë u realizua nga Korporata e Elektroenergjitë Shqiptare (KESH) që kontrollon prodhimin me 3 miliardë lekë, vlerë kjo 53 për qind për qind e ulët se tremujori i parë 2023. Ndikimin kryesor e ka dhënë ulja e çmimeve të energjisë duke bërë që kompania të përfitojë më pak të ardhura nga shitjet.
Për Operatorin e Shpërndarjes së energjisë fitimet u dyfishuan për të njëjtën periudhë. Në tremujorin e parë të vitit OSHE raportoi fitim 1,7 miliardë lekë (17 mln euro) me rritje 107 për qind më shumë se vitin e kaluar në të njëjtën periudhe. OSHE është favorizuar se ka blerë energji më lirë këtë vit duke e shitur me të njëjtat çmime të klientët fundore.
Operatori i Transmetimit OST realizoi fitime në vlerën e 590 milionë lekëve rreth 5,9 milionë euro në janar-mars 2024 me ulje 29.5% në krahasim me tremujorin e parë 2023.
Në sfond të rezultateve pozitive financiare kompanitë publike të sektorit të energjisë vuajnë nga një barrë e lartë detyrimesh që po rëndohet vit pas viti.
Totali i detyrimeve të KESH arriti në tremujorin e parë në 79 miliardë lekë ose sa 81 % e kapitalit të kompanisë që u vlerësua 97,6 miliardë lekë në të njëjtën periudhe.
Për OST totali i detyrimeve arriti në 41 miliardë lekë në tremujorin e parë në nivel të njëjtë me kapitalin, teksa për OSHE ministria e Financave nuk dha të dhëna të detajuara për detyrimet dhe kapitalin.
OSHE ndër të tjera ka miliarda lekë detyrime të pa arkëtuara si rrjedhoje e mos-shlyerjes së faturave të energjisë në kohë sidomos nga entet publike.
Vetëm detyrimet e ndërmarrjeve të ujësjellësit ndaj OSHE arritën në 30,7 miliardë në fund të majit 2024, nga të cilat 16 miliardë lekë janë fatura të pashlyera dhe 15 miliardë lekë janë kamatëvonesa./Monitor
Diskutime rreth kësaj post