Faturimet abuzive apo radhët e gjata për të paguar energjinë elektrike, tashmë mund të shmangen vetëm me një aparat telefonik. OSHEE do t’iu mundësojë qytetarëve të marrin çdo shërbim nga telefoni.
“Në të gjithë Shqipërinë, çdonjeri që ka një telefon mund të bëjë çdo lloj shërbimi. Mund të marrë informacion mbi konsumin mujor, mund të bëjë pagesën. Mund të bëjë një aplikim dhe të marrë informacion në çfarë niveli ndodhet aplikimi dhe nga kush po pengohet. Kjo edhe në kuadër të rritjes së transparencës. Mund të mësojnë se cili punëtor pengon, ose çfarë dokumentacioni duhet të plotësojnë”, tha Çela.
Ministri i Energjisë tha se, edhe leximi i matësave do të kryhet shumë shpejt në mënyrë elektronike nga kompjuterat dhe jo nga faturistët, të cilët mund të abuzojnë.
“Nuk mund të ketë më lexime fiktive, nuk mund të ketë më shifra që i vendoste njëri me bllok në dorë atje, ndërsa njerëzit endeshin rrugëve për të gjetur të drejtën e tyre. Operatori ka hyrë në një rrugë pa kthim drejt progresit”, tha Gjiknuri.
Ndërkohë, që nga janari i vitit të ardhshëm, Shërbimi ndaj Klientit do të jetë 24 orë.
“Do të kemi një ‘Call Center’ kombëtar, i cili do të funksionojë 24 orë. Në të, çdo qytetar mund të marrë në çdo orë dhe për çdo problem. Për ndërprerjen e energjisë, për të denoncuar korrupsionin, për çdo gjë”, tha Çela.
Në raportin e klimës së biznesit, lidhja dhe furnizimi me energji ishte një nga fushat me ndikimin më të madh në përmirësimin e “të bërit biznes” sipas Bankës Botërore.
Diskutime rreth kësaj post