Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir ka shprehur sot shqetësimin në lidhje me ultimatumin e vendosur për regjistrimin e portaleve on line, ose në të kundërt rrezikojnë mbylljen.
Harlem Désir, në një letër drejtuar kryeministrit Rama shkruan se nisma mund të të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias.
“Shtetet nuk duhet të imponojnë regjistrimin e detyrueshëm për mediat online si parakusht për punën e tyre, gjë që mund të ketë efekt shumë negativ në lirinë e medias. Kjo praktikë, kur vihet në zbatim, mund të kufizojë ndjeshëm aksesin e publikut në burime të larmishme informacioni dhe pluralizmin e zërave, si edhe gërryen të drejtën e lirisë së shprehjes dhe të informimit online”, deklaroi Désir.
Ndër të tjera Desir, u bëri thirrje autoriteteve shqiptare t’i rishikojnë këto masa, të shqyrtojnë të gjitha alternativat e mundshme për trajtimin e çështjes së shpifjes dhe të fillojnë një debat gjithëpërfshirës me aktorët relevantë të shoqërisë civile dhe medias.
“Është tejet e rëndësishme që të sigurohet më shumë informacion rreth objektivave të saktë të masave të shpallura, si edhe për kriteret mbi bazën e të cilave janë përzgjedhur këto 44 faqe interneti“, shtoi Désir.
Më tej, ai kërkoi sqarime për bazën ligjore të kërkesës për publikimin e NIPT-it nga ana e këtyre faqeve interneti, si edhe për bazën ligjore për mbylljen e faqeve të internetit.
Në përfundim të letrës për kryeministrin përfaqësuesi i OSBE ofroi edhe asistencën e tij ligjore. /albeu
Diskutime rreth kësaj post