Ambasadori i OSBE në Tiranë, Bernd Borchardt, deklaron se bojkoti i zgjedhjeve të qershorit nga opozita do të dëmtonte vendin dhe vetë subjektet politike pjesë të saj. Sipas tij, mënyra për të ecur para duhet të jetë dialogu për përmirësimet e kodit zgjedhor dhe jo kërcënimet për një bojkot dhe dhunë.
“Besoj fuqimisht që shqiptarët meritojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, në kohë dhe me përfaqësimin e duhur të të gjitha partive. OSCE/ODIHR-i po përgatit një mision shumë të plotë për vëzhgimin e zgjedhjeve. Nëse partitë duan që zgjedhjet të bazohen te një ligj më i mirë zgjedhor – atëherë ato duhet të gjejnë konsensus për përmirësimet. I kemi nxitur prej më shumë se një viti që ta bëjnë këtë gjë. Kemi bërë shumë rekomandime për përmirësime. Mënyra për të ecur para duhet të jetë dialogu për përmirësimet e Kodit Zgjedhor dhe jo kërcënimet për një bojkot të zgjedhjeve; një bojkot vetëm sa do të dëmtonte vendin dhe ata që e fillojnë atë. Kërcënimet për të ndërprerë procesin e rregullt demokratik do të ishin shumë të papërgjegjshme; janë shumë të paktë ata shqiptarë që mund të duan që vendi të shkojë 20 vite pas. Thirrjet për dhunë janë një territor ku nuk duhet shkelur absolutisht.” -tha Bernd Borchardt.
Intervistoi: Genc Mlloja
Albanian Daily News: Një mision afatshkurtër, që mbushi 20 vjeç. Shkëlqesi, si i shihni dy dekadat e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri? A ka qenë me vlerë ky mision, i cili nisi në vitin e trazuar 1997 dhe që është rinovuar për të ardhur deri në ditën e sotme? A mund të thuhet që “misioni u përmbush”?
Ambasadori Borchardt: Shqipëria ka pasur zhvillim mbresëlënës gjatë 20 viteve të fundit. Personalisht, erdha për herë të parë këtu në vitin 1996 dhe kujtoj shumë mirë se sa keq dukej Tirana dhe qytete të tjera. Ne krenohemi për kontributin e dhënë për zhvillimin pozitiv të Shqipërisë. Sidoqoftë, në Shqipëri ka ende probleme thelbësore dhe qeveria i ka kërkuar Prezencës të vazhdojë të mbështesë vendin në disa fusha, si: lufta kundër kanabisit, zbatimi i Strategjisë Kombëtare Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, vazhdimi i angazhimit të të rinjve, grave, dhe grupeve të margjinalizuara dhe kthimi i këtij angazhimi në përmasa rajonale, kur është e mundur, si dhe trajtimi i rekomandimeve të OSBE/ODIHR-it në zgjedhjet e vitit 2017 dhe forcimi i medias publike. Në terma më të përgjithshëm: Prezenca ka vazhduar të zhvillohet paralelisht me vendin dhe puna jonë sot përqendrohet te sfidat dhe përparësitë e qytetarëve dhe institucioneve të sotme. Ndërsa në vitet e para u përqendruam te ndërtimi i institucioneve, aktualisht e vendosim shumë më shumë theksin te funksionimi dhe afrimi i tyre me qytetarët.
Albanian Daily News: A keni projekte të veçanta për të përkujtuar 20 vitet e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri?
Ambasadori Borchardt: Për pjesën e mbetur të vitit, ne po përgatisim dy projekte. I pari i ka sytë nga e ardhmja. Titullohet “Shtigjet rinore” dhe organizohet së bashku me Bashkinë e Tiranës dhe me organizatat rinore në Shqipëri. Në kuadër të tij, synojmë të sjellim në fund të verës në Tiranë të rinj nga i gjithë Ballkani Perëndimor për t’u takuar dhe diskutuar rreth praktikave më të mira në fushat ku vepron OSBE-ja, si për shembull, lufta kundër trafikut të qenieve njerëzore, korrupsioni dhe të tjera, por dhe për të bërë veprimtari në natyrë së bashku.
Projekti i dytë është planifikuar për fundin e vitit. Duam të organizojmë një konferencë shkencore për të diskutuar rolin e ndërkombëtarëve gjatë tranzicionit të Shqipërisë, ku do të reflektojmë, gjithashtu, për kontributin afatgjatë të Prezencës. Do të bëjmë një thirrje për studime shkencore dhe do të ftojmë dëshmitarë të shquar të kohës.
Po ashtu, do përpiqemi të bindim Kryetarin e Radhës së OSBE-së, ministrin e Jashtëm të Austrisë, Kurz, të vizitojë Tiranën këtë vit.
Albanian Daily News: Rastësi apo jo, ju u kthyet në Shqipëri pasi shërbyet si ambasador i Gjermanisë në Tiranë nga viti 2007 në vitin 2010. Si ju duket pozicioni aktual, ku nuk përfaqësoni më një shtet të vetëm, por një organizatë me shumë shtete, që nga emërimi juaj më 1 tetor 2016?
Ambasadori Borchardt: “Përshkrimet e punës” janë sigurisht shumë të ndryshme. Si ambasador i Gjermanisë më duhej, pikësëpari, të përkrahja interesat e vendit tim. Si Kryetar i Prezencës së OSBE-së duhet të përkrah vlerat e OSBE-së dhe të ndihmoj Shqipërinë të arrijë qëllimet e saj në fushat ku është e angazhuar OSBE-ja. Shqipëria është gjithashtu “aktor” i Prezencës, si shtet pjesëmarrës i OSBE-së. Kjo nënkupton bashkëpunim dhe bashkërendim të ngushtë me institucionet shqiptare. Ne jemi këtu pikësëpari për to dhe jo për OSBE-në.
Në të njëjtën kohë, patjetër që ka përputhje të mëdha të “përshkrimeve të punës”: vijimësia e procesit të reformave në Shqipëri mbështetet fuqimisht nga veprimtaria e OSBE-së dhe mirëpritet nga shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së, përfshirë Gjermaninë. Dhe Gjermania e mbështet Prezencën tonë.
Një ndryshim tjetër i rëndësishëm për mua është mundësia për të punuar përsëri në një ekip ndërkombëtar të përbërë prej njerëzish prej kombësish dhe përvojash të ndryshme. Një gjë të tillë, e shijova dhe gjatë emërimit tim të parë në OSBE dhe përgjatë punës sime me EULEX-in.
Albanian Daily News: Disa e kanë parë rolin e OSBE-së si arbitër të skenës politike të Shqipërisë dhe të aktorëve të saj kryesorë, forcat politike të së majtës dhe të së djathtës, në armiqësi problematike, për të cilën nuk e mohon dot askush se ka ndalur ecurinë e reformave demokratike në këtë vend të Ballkanit. Sipas jush, cili ka qenë roli i vërtetë i Prezencës së OSBE-së dhe kontributi i saj për të shmangur përplasjet politike të ngjashme me ato kur OSBE-ja nisi misionin e saj në Shqipëri?
Ambasadori Borchardt: OSBE-ja e sheh veten sot si partnere e institucioneve shqiptare dhe e shoqërisë civile. Shqipëria është pjesë e OSBE-së – pra, Shqipëria është një prej aktorëve tanë dhe ka autorësi mbi Prezencën. Puna jonë bashkërendohet ngushtësisht me ministritë dhe institucionet partnere; dhe një pjesë thelbësore e punës ka të bëjë me shoqërinë civile shqiptare. Por ne shohim dhe një rol avokatie te vetja jonë: ne përpiqemi të bindim partnerët tanë shqiptarë për rekomandimet tona dhe për standardet ndërkombëtare që përfaqësojmë. Por, vendimet i merr Shqipëria si shtet sovran dhe institucionet e saj.
Albanian Daily News: Kontributi i Prezencës së OSBE-së nuk ka qenë i kufizuar vetëm në fushën e reformës zgjedhore apo në dhënien e këshillave rreth forcimit të demokracisë në një shtet që ka përjetuar një nga diktaturat më mizore të shteteve ish-komuniste të Evropës Lindore. Cilët janë disa nga projektet e tjera kryesore të ndërmarra nga kjo organizatë gjatë misionit të saj 20 vjeçar në Shqipëri?
Ambasadori Borchardt: Që nga mbërritja e Prezencës, ka pasur shumë arritje: është dhënë mbështetje për hartimin e ligjeve në shumë fusha, si për shembull Kushtetuta e vitit 1998, legjislacioni zgjedhor, strategjia kundër korrupsionit, ligji për Mbrojtjen nga Diskriminimi.
Gjithashtu, kemi mbështetur krijimin e Avokatit të Popullit, Shërbimit të Provës, platformës online njohligjin.al, vademekumit për avokatët dhe shkatërrimin e materialeve kimike ushtarake të rrezikshme. Së fundmi, trajtimi i të shkuarës është një projekt shumë interesant: Prezenca mbështet idenë e një dialogu kombëtar konstruktiv rreth ish-regjimit komunist në Shqipëri. Drejtësi pa vonesa: një program që mbështet gjykatat e rretheve në të gjithë vendin për të ulur në mënyrë të dukshme numrin e seancave joproduktive; dhe këto janë vetëm disa.
Albanian Daily News: Z. Ambasador, Shqipëria ka përparuar në fusha si transporti, energjia, dhe infrastruktura urbane dhe rurale. Por një gjë e tillë duhet baraspeshuar dhe me investime tek njerëzit, si rinia, gratë, pensionistët, dhe segmentet e cenueshme të shoqërisë. Po përmend disa fakte: ulja e varfërisë ka mbetur në vend që nga viti 2008, niveli i papunësisë tek të rinjtë ka pësuar ulje, por ende qëndron në shifrën 30% dhe më shumë se gjysma e grave në Shqipëri (të moshës 15-49 vjeç) kanë përjetuar të paktën një formë dhune në familje përgjatë jetës së tyre, investimet në arsim dhe shëndetësi janë të dyja në shifrën 3% të PBB-së, ndërsa mesatarja e OECD-së është më e lartë se 6% e PBB-së. A mendoni se duhet bërë më shumë për investimet në njerëz dhe tek infrastruktura sociale? Cili është roli që mund të luajë Prezenca e OSBE-së për të përkrahur kushtet e jetesës së njerëzve?
Ambasadori Borchardt: OSBE-ja është pjesë e një mekanizmi bashkërendimi ndërmjet partnerëve të zhvillimit që veprojnë në Shqipëri, së bashku me donatorë të mëdhenj dy dhe shumëpalësh. Ne jemi të ndërgjegjshëm se ka ndihma financiare të mëdha që sillen në Shqipëri për të trajtuar çështjet që ju përmendët. Investimet në njerëz, rritja e aftësive dhe ofrimi i njohurive kanë qenë nga pikat ku është përqendruar OSBE-ja përgjatë viteve, në ato fusha që përmenden posaçërisht në mandatin tonë. Megjithatë, është e rëndësishme të nënvizojmë se OSBE-ja është organizatë rajonale sigurie dhe jo organizatë donatore. Ne investohemi me përpjekje për të zgjidhur çështjet e sigurisë në vend me anë të konceptit tonë tërësor të sigurisë. Respekti për të drejtat e njeriut dhe liritë themelore, demokracinë, dhe shtetin e së drejtës është pjesë e thelbit të konceptit tërësor të OSBE-së për sigurinë. Një gjë që gjithashtu e trajtojmë me seriozitet në konceptin tonë të sigurisë është që marrëdhëniet jo të mira ndërmjet qytetarëve dhe institucioneve dhe niveli i ulët i besimit i qytetarëve tek institucionet e tyre përbëjnë faktor pasigurie. Prandaj, ne jemi të angazhuar të afrojmë institucionet me qytetarët dhe të rrisim besimin e qytetarëve tek institucionet e tyre me anë të qasjes sonë të shumanshme: duke punuar për masat kundër korrupsionit, mbështetur reformën e gjyqësorit, përmirësuar efikasitetin e gjykatave, përkrahur të drejtat e njeriut, afruar parlamentin me votuesit, etj.
Le të shohim nga afër dy fusha ku ka pasur projekte:
Ndërhyrja jonë në fushën kundër korrupsionit:
Në ndërhyrjen e saj të shumanshme, Prezenca po zhvillon mjetet për të përkrahur angazhimin e komunitetit të biznesit dhe shoqërisë civile për të luftuar korrupsionin, duke mbështetur komunitetin e biznesit për mbikëqyrjen e masave kundër ryshfetit përgjatë veprimtarisë së biznesit dhe duke organizuar takime konsultative me shoqërinë civile për të diskutuar rreth mekanizmave të raportimit të denoncimeve të korrupsionit dhe për të kryer programe trajnimi për rritjen e kapaciteteve për të mbikëqyrur planin e veprimit kundër korrupsionit. Prezenca po përmbyll Kodin e Sjelljes Kundër Korrupsionit, që ka për qëllim t’i japë komunitetit të biznesit në Shqipëri instrumente të dobishme për luftën kundër korrupsionit.
Gjithashtu, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në bashkërendim me Koordinatorin Kombëtar Kundër Korrupsionit, po mbështet aktualisht veprimtarinë e Sallës Operacionale që administron portalin stopkorrupsionit.al, i cili është një instrument novator që i lejon qytetarëve të denoncojnë korrupsionin në mënyrë anonime tek autoritetet përgjegjëse. Ne besojmë se mbështetja e kësaj platforme denoncimi është shumë e rëndësishme për të rritur besimin e publikut te mekanizmat ekzistuese kundër korrupsionit në Shqipëri si dhe tek institucionet e përfshira në luftën ndaj korrupsionit.
Në fushën e qeverisjes vendore:
Në vitin 2017 do t’i jepet vëmendje e veçantë ofrimit të asistencës për njësitë e qeverisjes vendore për të kuptuar më mirë faktorët nxitës të fenomenit të kultivimit të kanabisit, duke ofruar rekomandime praktike, si edhe modele alternative zhvillimi të mundshëm dhe duke kontribuuar përmes fushatave për ndryshimin e sjelljes, të cilat angazhojnë pikat e kontaktit në komunitete. Në vijimësi të mbështetjes së dhënë për vlerësimin e procesit të transferimit të pronave nga qeverisja qendrore tek ajo vendore, gjatë vitit 2017 Prezenca do të trajtojë mangësitë e identifikuara duke ofruar rritje të kapaciteteve për zyrtarët e bashkisë që merren me procesin e transferimit të pronave, në mënyrë që ata të ndërmarrin hapat e nevojshëm për të përfunduar procesin.
Albanian Daily News: OSBE-ja së bashku me ODIHR-in janë angazhuar për shumë vite me reformën zgjedhore në Shqipëri. Pas çdo zgjedhjeje, qofshin ato të përgjithshme apo vendore, ka pasur probleme dhe ato nuk janë konsideruar plotësisht demokratike në asnjë rast. Pyetja që bëhet tani kur Shqipëria pritet të mbajë zgjedhjet e përgjithshme më 18 qershor të këtij viti është a është përmirësuar sistemi zgjedhor dhe strukturat e tij për të garantuar zgjedhje të lira dhe të ndershme? Përse është bërë çështje për opozitën, por edhe për forca të tjera politike, një element i ri – votimi elektronik? Thënë shkurt, a jeni ju i shqetësuar që opozita mund të bojkotojë zgjedhjet e qershorit?
Ambasadori Borchardt: Po ngrini disa çështje.
Në përgjithësi mund të them që sistemi zgjedhor i Shqipërisë është një sistem legjitim, që duhet respektuar. Partitë e mëdha të të dyja kaheve, të majta dhe të djathta, ranë dakord në vitin 2008 për sistemin aktual, pasi e konsideruan si më të përshtatshëm për realitetin shqiptar. Prandaj, çdo vendim për ta ruajtur apo për ta rishikuar atë i takon vetëm klasës politike. Ai mund të ndryshohet– nëse ka shumicë që favorizon ndryshimet – në kohë para zgjedhjeve të ardhshme.
Për sa i takon kuadrit ligjor zgjedhor, në raportet e vitit 2013 dhe 2015 për zgjedhjet në Shqipëri, OSCE/ODIHR ka vërejtur edhe që, pavarësisht mangësive, ai ofron zakonisht bazë të shëndoshë për mbajtjen e zgjedhjeve demokratike. Sidoqoftë, ky legjislacion duhet përmirësuar për të trajtuar rekomandimet e shumta që janë dhënë nga OSCE/ODIHR-i dhe nga aktorë të tjerë ndërkombëtarë dhe vendas.
Zgjedhjet në Shqipëri kanë vuajtur vazhdimisht kryesisht prej zbatimit të papërshtatshëm nga të gjithë aktorët kryesorë. Mungesa e vullnetit politik nga partitë politike për të mbajtur zgjedhjet me efikasitet dhe politizimi i institucioneve të përfshira në mbajtjen e zgjedhjeve vazhdojnë që të dëmtojnë proceset zgjedhore.
Votimi elektronik është një sistem zgjedhor i mundshëm, por mjaft i komplikuar nga aspekti teknologjik. Futja e tij është kërkuar nga opozita që para zgjedhjeve të vitit 2013, kërkesa u ngrit sërish në vitin 2016 nga opozita e re. Në të dy rastet na u desh të shpjegonim që futja e një sistemi të tillë kërkon shumë kohë, që në të dyja herët nuk ka qenë në dispozicion në kohën kur është bërë kërkesa. Diskutimi mund të rihapet më 19 qershor për zgjedhjet e vitit 2019 dhe ne jemi gati të mbështesim Shqipërinë me njohuri për funksionimin e sistemeve të votimit elektronik.
Gjithashtu, ju ngrini çështjen e një bojkoti të mundshëm të zgjedhjeve: besoj fuqimisht që shqiptarët meritojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme, në kohë dhe me përfaqësimin e duhur të të gjitha partive. OSCE/ODIHR-i po përgatit një mision shumë të plotë për vëzhgimin e zgjedhjeve. Nëse partitë duan që zgjedhjet të bazohen te një ligj më i mirë zgjedhor – atëherë ato duhet të gjejnë konsensus për përmirësimet. I kemi nxitur prej më shumë se një viti që ta bëjnë këtë gjë. Kemi bërë shumë rekomandime për përmirësime. Mënyra për të ecur para duhet të jetë dialogu për përmirësimet e Kodit Zgjedhor dhe jo kërcënimet për një bojkot të zgjedhjeve; një bojkot vetëm sa do të dëmtonte vendin dhe ata që e fillojnë atë. Kërcënimet për të ndërprerë procesin e rregullt demokratik do të ishin shumë të papërgjegjshme; janë shumë të paktë ata shqiptarë që mund të duan që vendi të shkojë 20 vite pas. Thirrjet për dhunë janë një territor ku nuk duhet shkelur absolutisht.
Albanian Daily News: Z. Ambasador, kur ju ishit Ambasador i Gjermanisë kishte një zonë të nxehtë të kultivimit të kanabisit në Lazarat, në Shqipërinë e Jugut. U bënë tre vite që flitet për ‘kanabizim’ të të gjithë Shqipërisë. Jo vetëm një problem vendor, është bërë shqetësim ndërkombëtar. Cili është roli i Prezencës së OSBE-së në kalimin e kësaj sëmundjeje të lidhur ngushtë me krimin e organizuar dhe korrupsionin në nivelet më të larta të politikës?
Ambasador Borchardt: Prodhimi i kanabisit ishte shqetësim ndërkombëtar edhe kur unë isha ambasador i Gjermanisë. Ka pasur shumë raportime ndërkombëtare për kanabisin në Shqipëri midis viteve 2007 dhe 2010 kur unë shërbeja këtu. Një prodhim prej 1000 tonësh me një vlerë shitjeje në rrugë prej 2000 milionë eurosh, siç u vlerësua në vitin 2013, tregoi që Lazarati nuk ishte problem “folklorik”, apo lokal, por qendra e një industrie kriminale. Fatkeqësisht, politika shqiptare nuk ndërmori shumë veprime në këtë drejtim deri në vitin 2013. Këtë e dokumentojnë nivelet e ulëta të kapjeve dhe shkatërrimit. Ajo që ka ndryshuar sot është që politika dhe shoqëria diskutojnë për të, dhe që nga viti 2014, policia po e lufton në mënyrë shumë më intensive. Ky është një zhvillim pozitiv. Plantacionet e Lazaratit u shkatërruan në vitin 2014. Vitin e kaluar policia shkatërroi 2,5 milionë bimë kanabis. Ky është sukses – këto bimë do të kishin prodhuar sasi tejet të mëdha marijuane. Por kapjet e vazhdueshme të marijuanës dhe hashashit tregojnë që problemi nuk është zgjidhur. Qeveria ka hartuar një plan veprimi për të luftuar kanabisin, Prezenca e OSBE-së ishte e ftuar për të kontribuuar në këtë plan dhe e dha kontributin e saj. Ne e nxitim qeverinë që të zbatojë këtë Plan Veprimi me energji. Ne mbetemi të gatshëm që të vazhdojmë mbështetjen tonë – në veçanti në fushën e hetimeve penale. Gjithashtu, ne do të monitorojmë nga afër zbatimin e Planit të Veprimit.
Albanian Daily News: Shkëlqesia Juaj, çfarë mendoni ju për rolin e shoqërisë civile në Shqipëri, një vend ku për hir të së vërtetës, ekzistojnë më shumë se 1500 OJF të llojeve të ndryshme? A luajnë ato rolin që duhet të luajnë, apo shumica e tyre shërbejnë si mënyrë pasurimi për disa njerëz, apo më keq se kaq, si mjete për pastrimin e parave, sepse perceptimi i shumicës së njerëzve të zakonshëm për to është sikur janë joekzistente?
Ambasador Borchardt: Kur diskutojmë për hoqërinë civile duhet të jemi të vetëdijshëm se zemra e diskutimit është për demokracinë. Demokracia është e vërtetë për aq sa njerëzit janë aktivë dhe marrin pjesë në vendimet e marra në mënyrë demokratike. Numri i OJF-ve në vetvete nuk është tregues i një qytetarie aktive. Mund të keni 1500 ose 3000 OJF, por nuk është ajo çka nevojitet domosdoshmërisht për të pasur shoqëri civile të fortë. Sigurisht, numri i OJF-ve aktive në fusha të ndryshme është ogur i mirë për një demokraci. Por nuk është gjithçka duhet për një demokraci të gjallë.
Ajo që tregon shoqëri civile të vërtetë është angazhimi – në komunitetet vendore, në rrugë, midis komuniteteve, ndërmjet të gjithë kategorive sociale. Shoqëri e vërtetë civile do të thotë përfshirja e vërtetë në kauza që kanë realisht interesin e publikut; do të thotë përfshirje e vërtetë, dhe ndonjëherë përballje të vërtetë me autoritetet për çështje padrejtësie të perceptuar apo të njëmendtë apo për praktika të këqija. Duhet të distancohemi nga pështjellimi i përhapur gjerësisht i identifikimit të shoqërisë civile vetëm me OJF-të. Ndërkohë që OJF-të janë, sigurisht, pjesa më e dukshme e shoqërisë civile, ato janë, siç duhet të jenë, maja e ajsbergut. Shoqëria civile shkon përtej organizatave formale. Shoqëria civile shkon përtej projekteve të financuara nga donatorët, sado të rëndësishme dhe të mirë-zbatuara mund të jenë ato. Ndikimi i vërtetë i shoqërisë civile shihet kur shumë njerëz bashkojnë forcat për kauza të përbashkëta.
Ka prova të prekshme – edhe të viteve të fundit – që shoqëria civile mund të sjellë ndryshim në Shqipëri. Aktivistët e shoqërisë civile në disa raste kanë bërë përpjekje të mëdha që të dëgjohet ana e tyre e ngjarjes për mbrojtjen e interesit publik – përpjekjet e Aleancës kundër Importit të Mbetjeve në Shqipëri, veprimtaritë për mbrojtjen e luginës së lumit të Valbonës dhe zonave të tjera me vlerë natyrore dhe historike, apo lëvizja kundër çmontimit të armëve kimike siriane në Shqipëri, për të përmendur disa. Është e lehtë t’ia drejtosh gishtin shoqërisë civile dhe ta akuzosh se po keqpërdoret nga politikanët. Por në të vërtetë e gjithë shoqëria civile është politike. Shoqëria civile është një hapësirë politike – është arena ku qytetarët kërkojnë t’u japin formë rregullave që administrojnë aspektet e jetës sociale.
Prezenca dëshiron të ofrojë mbështetjen e duhur, të paanshme dhe efektive për shoqërinë civile, qytetarinë aktive dhe pjesëmarrjen e qytetarëve. Përpjekjet tona shkojnë drejt mbështetjes së angazhimit qytetar, edukimit demokratik dhe aktivizimit qytetar në mesin e të rinjve, me vëmendje të veçantë në zonat rurale, po aq sa edhe drejt mbështetjes për koordinimin e donatorëve ndërkombëtarë dhe vendas në fushën e zhvillimit të shoqërisë civile këtu në kryeqytetin e Shqipërisë. Qytetarët shqiptarë, në veçanti të rinjtë nga qytete më të vogla dhe fshatra shpesh e gjejnë veten të lënë jashtë nga jeta e shoqërisë civile që mbetet thellësisht e përqendruar në kryeqytet. Ka prova të mjaftueshme që tregojnë faktin se shoqëria civile mbetet e fragmentuar në tërësi dhe tepër e varur nga financimet e donatorëve. Nga ana tjetër, ka lajme të mira. Shqipëria ka bërë hapa përpara në krijimin e mekanizmave të saj për mbështetjen e zhvillimit të shoqërisë civile – themelimi i një Agjencie të financuar nga shteti për mbështetjen e shoqërisë civile është mishërim i atij mekanizmi. Ne kemi mbështetur, monitoruar, këshilluar dhe bashkërenduar përpjekjet tona me këtë institucion, në bashkëpunim me partnerët tanë ndërkombëtarë.
Një aspekt i rëndësishëm i punës sonë me shoqërinë civile është ta sjellim rininë shqiptare më pranë institucioneve demokratike; ne përpiqemi që të rrisim interesin e tyre për të bërë pyetje, për të sfiduar vendimmarrësit, për të debatuar me ta. Ndonjëherë ne organizojmë forume të hapura në zona të largëta, duke sjellë vendimmarrësit pranë të rinjve. Në debatin me ish-Kryetarin e Radhës të OSBE-së, Didier Burkhalter, një djalë shqiptar bëri pyetjen: “Çfarë është demokracia?” Ministri i jashtëm Burkhalter u përgjigj: “Demokracia është, mbi të gjitha, respekt për të gjithë. Është një mundësi që cilido të marrë pjesë për kërkimin e një zgjidhjeje. Gjithashtu, demokraci do të thotë gjithëpërfshirje dhe përgjegjësi”.
Unë nuk do të mund ta kisha formuluar më mirë. Puna jonë është pikërisht kjo – t’u japim sa më shumë mundësi qytetarëve që të jenë pjesëmarrës, të edukojmë për demokracinë, të mbështesim gjithëpërfshirjen dhe përgjegjësinë e përbashkët. Zgjidhja për çdo krizë të demokracisë dhe ndreqja e çdo mangësie demokratike u takon qytetarëve shqiptarë. Qytetarët janë rojtarët më të mirë të demokracisë.
Diskutime rreth kësaj post