Punonjësit shqiptarë, si meshkuj, ashtu dhe femra, kanë oraret më të gjata të punës në Europë. Ato arrijnë deri në 50 orë në javë. Gjetjet për orët e punës janë publikuar në një raport të fundit të Komisionit Europian për kushtet e punës dhe implikimet në të ardhmen. Sondazhi realizohet një herë në pesë vjet nëpërmjet anketimeve me 70,000 punëtorë në 36 vende europiane.
Këtu përfshihen shtetet anëtare të BE-së, Mbretëria e Bashkuar, Norvegjia, Zvicra, Shqipëria, Bosnjë dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Meshkujt shqiptarë punojnë rreth 50 orë në javë. Femrat punojnë rreth 45 orë në javë. Pas shqiptarëve renditen grekët, serbët, malazezët, rumunët dhe shtetasit e Kosovës.
Orët e larta të punës në Shqipëri duken të lidhura me dy faktorë. Së pari është puna edhe gjatë fundjavave. Së dyti mendohet niveli i lartë i të vetëpunësuarve, që Shqipëria e ka rekord në rajon me rreth 36% të totalit të të punësuarve (shënim i Monitor). Sipas raportit, mesatarisht, në BE-27 burrat raportuan se punonin pak më shumë se 42 orë në javë. Ndërkohë gratë punonin afërsisht 37 orë.
Java klasike 40-orëshe mbeti standard në vitin 2021 në shumicën dërrmuese të vendeve. Kjo përveç Francës (35 orë), Danimarkës (37 orë), Norvegjisë (38 orë) dhe Zvicrës (42 orë). Rreth 20% e të gjithë punëtorëve (31% e grave dhe 12% e burrave) punonin 34 orë ose më pak në javë.
Në vitin 2021, rreth gjysma e burrave dhe grave punonin midis 35 dhe 40 orë në javë. Mesatarisht, të vetëpunësuarit shpenzuan 6.4 orë më shumë në punë me pagesë sesa punonjësit. Raporti thekson se orët e gjata të punës shoqërohen me kushte shëndetësore si depresioni, ankthi, çrregullimet e gjumit dhe sëmundjet koronare të zemrës. Po ashtu ato mund të ndikojnë ekuilibrin midis punës dhe aspekteve të tjera të jetës.
Në vitin 2021, 19% e punëtorëve në BE-së raportuan se punonin 48 orë ose më shumë në javë. Përqindjet mes të vetëpunësuarve ishin më të mëdha: 52% e meshkujve dhe 35% e femrave.
Orari i zgjatur i punës është raportuar nga më shumë se gjysma (58%) e të vetëpunësuarve me të punësuar, 40% e të vetëpunësuarve të vetëm dhe rreth 14% e të punësuarve. Orët e gjata janë raportuar më shpesh nga punëtorët në bujqësi, menaxherët dhe operatorët e impianteve dhe makinerive, si dhe në sektorët e bujqësisë, transportit dhe ndërtimit. Orët e gjata ishin gjithashtu më të zakonshme në mikro-vendet e punës sesa në vendet më të mëdha të punës.
Në vitin 2021, një javë pune pesë-ditore ishte normë për burrat dhe gratë në të gjitha Shtetet Anëtare të BE-së. Gratë në Holandë janë një përjashtim, pasi shumica zakonisht punojnë katër ditë në javë.
Shumica dërrmuese e punëtorëve (70%) raportuan se kishin një javë pune pesë-ditore. Pjesa tjetër ndahej pothuajse në mënyrë të barabartë midis punës katër ditë ose më pak (16%) dhe punës gjashtë ose shtatë ditë (15%) në javë.
Një javë pune katër-ditore, e cila është diskutuar kryesisht si një mekanizëm për të përmirësuar mirëqenien e punëtorëve dhe ekuilibrin punë-jetë dhe për të krijuar potencialisht më shumë vende pune dhe për të reduktuar papunësinë, u raportua nga afërsisht 8 % e punëtorëve në BE27 (6% e burrave dhe 10% e grave)./ Monitor
Diskutime rreth kësaj post