Nga Mero Baze
Ajo që i ndodhi Edi Palokës mund t’i ndodhë kujtdo. Gjithandej gjenden qytetarë nervozë që mund të fyejnë apo shajnë deputetë apo politikanë të çdo niveli. Është rrisku i profesionit.
Por mënyra si reagoi Paloka nuk i ndodh gjithkujt. Ajo trego se opozita nuk e kupton përse ka dalë në opozitë.
Kur gjendesh para një reagimi publik kundër teje si politikan, duhet të bësh kujdes të kuptosh zemërimin.
Drama e qytetarëve që po ngelen pa shtëpi në Shkozë, është fundi i një shprese për t’i mbijetuar rrumpallës së kryeqytetit shqiptar të tranzicionit. Ata njerëz janë jo vetëm fatkeqë, por dhe të ndëshkuar nga politika, pasi falë saj, ata u lejuan të ndërtojnë shtëpi, në gjurmët e një unaze, që është projektuar qysh në kohë të komunizmit si e tillë.
Kur ata hodhën themelet, shkoi dikush para zgjedhjeve dhe u tha, vazhdoni. Pastaj kur hodhën çatitë, erdhën zgjedhjet e tjera dhe u thanë vazhdoni. Pastaj herë pas here, pas çdo palë zgjedhjesh, u thanë “rrini të qetë”, se nuk jua prishim. Me siguri diçka të tillë, u kanë thënë dhe socialistët në zgjedhjet e fundit.
Por e vërteta është se Unaza e Madhe, është vepër publike e cila duhet bërë dhe ata njerëz nuk duhen gënjyer dhe as duhet lejuar të gënjehen dhe më tej. Ata duhen strehuar!
Edi Paloka u bë nervoz , pasi nuk e kupton, se si mund ta shajë një qytetar, ndërkohë që ky shkon ti shprehë “solidaritetin” dhe mbështetjen e Lulit. Për faktin se këtu politika është bërë teatër, duke luajtur me njëri-tjetrin, politikanët mendojnë se dhe qytetarët janë bërë budallenj dhe e besojnë këtë teatër.
Reagimi ndaj Palokës, tregon se qytetarët kanë kujtesë dhe dinë ta kuptojnë se çfarë u ka ndodhur. Problemi i tyre është se duan një zgjidhje për vete dhe jo një zgjidhje për Palokën dhe Bashën për të ardhur në pushtet.
Ndaj ai reagim nuk duhet marrë si reagim kundër PD-së, as kundër opozitës, biles as vetë kundër Palokës, edhe pse ai u bë objekt sulmi. Është një sinjal që shoqëria e kupton teatrin e politikës dhe nuk ia hedh dot. Nuk ia hedh dot të miratosh një ligj për plehrat dje, e sot të dalësh të thuash nuk e lejojmë, njësoj siç kupton që kur ishe në pushtet e ke miratuar këtë projekt, e tani bën sikur të dhimbsen qytetarët.
Është një sinjal, se askush nuk e beson teatrin e politikës që luhet para kamerave.
Nga ana tjetër është dhe vetë një dramë për Partinë Demokratike, përfaqësuesen zyrtare të së djathtës në Shqipëri, që në mungesë të identitetit dhe një kauze të saj, i ngjitet nga pas çdo hallexhiu dhe problematike sociale të kryeqytetit, ngaqë s’kanë asnjë ide. Janë pak a shumë si ata punëtorët që dalin në mëngjes tek “Partizani i panjohur”, me shpresë se do vijë dikush t’i marrë në makinë për t’u dhënë një punë. Karikatura e sotme e opozitës në Shkozë ishte po kaq dëshpëruese. Ngjanin si opozitarë të papunë, që nuk i merrte askush në punë për të tillë.
Por drama e atyre qytetarëve nuk ka lidhje me dramën e opozitës. Ata rrezikojnë shumë në jetën e tyre. Bashkia ka premtuar qira për një vit dhe kredi për strehim. Ndoshta dhe më shumë mund të bëhet, duke futur dorën në xhep dhe qeveria, pasi faji i tyre i vetëm, është se kanë menduar se do t’i mbijetojnë rrumpallës politike të Tiranës. Përtej kësaj, ata duhet të jetojnë dhe të strehohen si gjithë të tjerët, edhe pse po paguajnë një çmim të rëndë të papërgjegjësisë politike në vend. Njësoj si ata, e paguanin në vitet 2000 banorët dhe ndërtuesit buzë Lanës ata të Parkut “Rinia” , pastaj ata të Komunës së Parisit etj.
Tirana e vitit 2017 është zhvendosur nga qendra në drejtim të Shkozës, dhe këtë duhet ta pranojmë si gjënë e mirë që po ndodh. Gjëja e vetme e keqe është teatri me ata njerëz. Që për fat ata nuk i gënjen dot.
Diskutime rreth kësaj post