Kuvendi i Kosovës nisi seancën e parë plenare të sesionit pranveror, me 22 pika në axhendë, por deputetët e opozitës hodhën sërish gazlotsjellës. Kjo situatë e detyroi Kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli ta ndërpresë seancën për 5 minuta pushim.
Deputetët e opozitës hodhën gazlotsjellës në kohën kur kryetari i Kuvendit Kadri Veseli po mbante fjalën.
Për aq kohë sa zgjati seanca kryetari Veseli hodhi në votim dhe u miratua me 79 vota rezoluta kundër dënimeve të ish-ushtarëve të UÇK-së, nga gjykatat serbe.
Në fillim të seancës kryetari i Vetëvendosjes Visar Ymeri, lexoi nga foltorja e Kuvendit një deklaratë me qëndrimet e opozitës për dorëheqjen e largimin e qeverisë dhe për zgjedhje të jashtëzakonshme.
Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, tha jashtë ambienteve të Kuvendit, se “ky regjim është i shkarkuar dhe s’mund të vazhdojë të punojë më”.
Zgjedhja e Presidentit të Kosovës nuk është në axhendën e njoftuar nga Kuvendi. Por, opozita ka ftuar protestuesit në shesh para Kuvendit për të kundërshtuar zgjedhjen e Presidentit të Kosovës.
Opozita ka paralajmëruar se edhe vazhdimin e bllokimit, të nisur prej pesë mujash, të Kuvendit të Kosovës duke ritheksuar se “thirrja e seancave plenare nuk i kontribuon zgjidhjes së krizës politike”.
Ndërsa Kuvendin e Kosovës, me shumë humbje kohe, e presin shumë punë, përfshirë zgjedhjen e Presidentit të Republikës, pasi presidentes aktuale i mbaron mandati pas rreth një muaj e gjysmë, në 6 prill.
Sipas Kushtetutës, “zgjedhja e Presidentit të Republikës së Kosovës duhet të bëhet jo më vonë se tridhjetë (30) ditë para përfundimit të mandatit të Presidentit aktual”. Kushtetuta përakton edhe se, “nëse në votimin e tretë, asnjëri kandidat nuk zgjidhet President i Republikës së Kosovës, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e reja, të cilat duhet të mbahen brenda dyzet e pesë (45) ditësh”.
Në kundërshtim të katër marrëveshjeve të 25 gushtit 2015 me Serbinë, veç asaj për asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë, si dhe të marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi, tre subjektet opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë dhe Nisma, me gjithsej 31 deputetë në parlamentin 120 anëtarësh, kanë organizuar protesta, aksione simbolike e manifestime, si dhe kanë bllokur Kuvendin e Kosovës edhe me hedhje gazi lotsjellës në sallën e seancave plenare e jashtë saj, ndërsa në këto zhvillime kishte edhe të arrestuar, përfshirë deputetë opozitarë, të cilët më pas janë liruar.
Ndërkohë, ka pasur edhe disa arrestime të tjera, së fundi në prag të protesës opozitare të 17 shkurtit i kryetarit të grupit parlamentar të VV, Glauk Konjufca, jo për zhvillimet e muajve të fundit në Kuvend, por për një protestë, ku kishte edhe rrokullisje veturash, vite më parë, në 2009-tën.
Sipas opozitës së bashkuar, në protestën kundër qeverisë të pasdites së festës së Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurtit, në Prishtinë, ishin mbi 100 mijë pjesëmarrës, e sipas Policisë kosovare rreth 15 mijë, ndërsa vlerësimi i përbashkët ishte se protesta ishte paqësore, e qetë dhe pa asnjë incident.
Opozita kërkon dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare në Kosovë, ka dhënë afat 10 ditë dhe nëse nuk ndodh kjo ka paralajmëtuar protestën e ardhëshme në 27 shkurt.
“Nëse nuk shpallen zgjedhjet, më 27 shkurt do të jemi edhe më shumë, edhe më fort”, paralajmëron opozita.
“Zgjedhjet mbahen në 10 qershor 2018”, të rregullta sipas Kushtetutës së Kosovës, ishte përgjigja e qeverisë në një konferencë shtypi pas protestës së opozitës, ku u shpreh e palëkundur në punën e saj, “duke respektuar votuesin dhe ata që u kanë dhënë mandatin, që janë mbi 200 mijë votues të LDK-së dhe mbi 230 mijë të PDK-së dhe mijëra tjerë të partive tjera të koalicionit”.
Qeveria e Kosovës, me kryeministër Isa Mustafën, e koalicionit të dy partive më të mëdha PDK e LDK, ku përfshihen edhe minoritetet, vazhdon punën në vitin e saj të dytë që nga zgjedhja në 9 dhjetor 2014, në Kuvendin kosovar të konstituuar një ditë më parë, gjashtë muaj pas zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare të 8 qershorit. Për dallim nga Kuvendi, i cili deri sot nuk ka mbajtur asnjë seancë plenare në 2016-tën, qeveria e Kosovës zhvilloi dje mbledhjen e tetë në këtë vit.
Diskutime rreth kësaj post