Opozita braktis sërish Kuvendin, Berisha i kërkon Metës t’i heqë Ramës shishen e ujit
Opozita braktisi seancën menjëherë pas deklaratës së ish-Kryeministrit i cili vuri theksin tek dekusarizimi i Kuvendit. Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Edi Paloka tha se “nuk do të jemi sot në sallë derisa kjo mazhorancë të reflektojë për gjithçka thashë më lart dhe ti kthejë legjitimin kësaj salle dhe këtij parlamenti”.
Në fjalën tij, Berisha ka ironizuar edhe Asamblenë e Partisë Socialiste që u zhvillua dje.
Sipas tij, Rama duhet të largohet nga parlamenti, pasi deputetët dhe ministrat socialistë deklarojnë që duan më shumë partinë, se Shqipërinë.
“Partia Socialiste bëri dje aktin më anti-kombëtar të parë ndonjëherë. Ata vunë partinë mbi Shqipërinë. Bijtë u kthyen tek etërit. Edi Rama nuk ka asnjë interes tjetër përveç pushtetit të tij personal. Kundërshtarët e tij janë budallenj e dele. Nuk përdor dot termat e të atit apo Kolekës, por mendon se kundërshtarët e tij ata janë armiq për tu zhdukur. Ministri i jashtëm deklaron në Asamblenë e turpit se Shqipëria dhe partia janë e njëjta gjë. Enver Hoxha bënte zgjedhje një herë në katër vjet, Rama as këtë nuk e lejon”, tha Berisha.
Gjatë fjalimit të tij, Berisha ka kërkuar nga Meta që mos të lejojë Ramën të mbajë shishe, pasi mund ta godiste. “Kryetar, ky që është pas mos të ketë as shishe asgjë në tavolinë. Në Asamble le t’i mbajë, këtu mos t’i mbajë, ka dëshmuar shenja agresiviteti që mund të çojnë në katastrofa të mëdha”, tha Berisha, duke nënkuptuar në këtë mënyrë rrëzimin e gotës me ujë që bëri Edi Rama gjatë një debati me Blushin në mbledhjen e grupit parlamentar socialist disa ditë më parë.
Diskutime rreth kësaj post