Operacioni “Bregdeti Ynë” ka shembur 61 objekte të ndërtuara pa leje. Këtë fakt e bën të ditur ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi teksa shton se gjobat e vendosura ndaj subjekteve deri më tani kapin vlerën e 94 milionë lekëve. Dy ditë më parë IKMT e shtriu operacionin në Kepin e Rodonit në Durrës ndërsa do të vijojë në ditët e ardhshme edhe në zona të tjera bregdetare.
“Gjatë dy javëve të para të operacionit “Bregdeti Ynë”, Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka shembur 61 objekte pa leje në Velipojë, Shëngjin, Durrës e Ksamil. Vlera e gjobave të vendosura deri më tani ndaj subjekteve llogaritet në rreth 94 milionë lekë. Ndërkohë Policia e Shtetit ka arrestuar 29 persona, si dhe ka proceduar penalisht disa të tjerë.
Operacioni do të vijojë në të gjitha zonat e bregdetit ku janë konstatuar ndërtime pa leje, për t’i çliruar këto hapësira nga zaptuesit dhe për të mos lejuar askënd që të bëjë çfarë të dojë me territorin. Ka marrë fund koha e të ndërtuarit sipas qejfit në shkelje të ligjit dhe në shumë raste duke dëmtuar mjedisin. Pas vijës bregdetare IKMT dhe Policia e Shtetit do të shtrijnë operacionin e shembjes së ndërtimeve pa leje në pjesë të tjera të territorit”, pohoi Çuçi.
Operacioni “Bregdeti Ynë” nisi më 7 qershor dhe do të vijojë përgjatë gjithë këtij muaji. Më pas IKMT dhe Policia e Shtetit do të nisin shembjen e objekteve pa leje në Zonat e Mbrojtura, si dhe në pjesë të tjera të territorit. Me ndryshimet në Kodin Penal janë ashpërsuar masat ndëshkuese për ata që ndërtojnë pa leje. Për herë të parë penalitetet bien mbi të gjithë zinxhirin ndërtimor.
Diskutime rreth kësaj post