Ministrja e jashtme Olta Xhaçka foli mbi takimin që do të mbahet në 11 qershor në SHBA, ku në mbledhjen e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Shqipëria pritet të zgjidhet anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit për periudhën 2022-2023. Xhaçka vlerësoi se ky është një moment i jashtëzakonshëm për Shqipërinë.
“Përfitimet janë të shumta, patjetër edhe në formën e prestigjit të politikës tonë të jashtme dhe të rëndësisë që ajo do të ketë në arenën globale por edhe të forcimit të marrëdhënieve siç ju thashë dypalëshe, shumëpalëshe por edhe të atyre që nuk kanë qenë në vëmendjen tonë deri më tani për shkak të kufizimeve të shtrirjes gjeografike apo të veprimatrisë sonë diplomatike. Ndaj them që është një moment shumë i rëndësishëm por është edhe një sfidë shumë e madhe për ta kryer me sa më shumë sukses këtë dy vjeçar që do të jemi pjesë e Këshillit të Sigurimit.”– u shpreh Xhaçka, ndërsa foli për prioritetet që do të ketë vendi ynë në këtë drejtim.
“Prioritetet që ne kemi janë padiskutim të Drejtat e Njeriut edhe Ligji Ndërkombëtar, pra respektimi i të Drejtave të Njeriut dhe Ligjit Ndërkombëtar si një parakusht për paqen, sigurinë, të drejtat e grave, respektimi i të drejtave të grave dhe këtu ne jemi një histori suksesi me një përfaqësim vërtet dinjitoz të grave në administratën publike, në role ekzekutive, në shoqërinë civile në përgjithësi dhe patjetër që respektimi i të drejtave të grave është një kusht për paqen edhe sigurinë. Kemi patjetër mjedisin edhe rreziqet që mosrespektimi i problematikave që kanë lidhje me mjedisin, mundësinë për sigurinë, metodat e punës në Kombet e Bashkuara që kanë të bëjnë me një atashim të Shqipërisë bashkë me shumë vende të tjera për të avancuar një axhendë gjithnjë edhe më bashkëpunuese ose një metodë pune që është gjithnjë edhe më konstruktive, edhe më bashkëpunuese në dobi të atyre që janë patjetër qëllimet, prioritete dhe objektivat e Kombeve të Bashkuara, punës së përbashkët dhe kështu me radhë. Pra, takimet do të kenë në thelb prezantimin e prioriteteve të Shqipërisë dhe arsyet pse Shqipëria duhet votuar fuqimisht në këtë mundësi të jashtëzakonshme.”- vijoi Xhaçka.
Diskutime rreth kësaj post